Qyteti nuk ka vdekur
Arlind FARIZI
Fshati ishte sajuar nga Zoti, kurse qyteti nga djalli, thoshte një poet mendjekthjellur. Ka një tërheqje ta pashpjegueshme qyteti. E kot është përpjekja për të gjetur arsyen, por nëse ndalemi te artistët, te kjo racë e veçantë njerëzish, na del se ata i tërheq qyteti, sepse aty janë çmimet, fama, ambienti vlerësues, është kritika.
Ata jetojnë me qira banesave shumëkateshe. Mbase kësilloj janë më afër qiellit… Përbrenda banesës dëgjojnë zhurmën e veturave, hyp-zbritjen e ashensorëve, shpesh dëgjojnë dhe ujin e sholes nga banesa sipër…oh, ç’atmosferë krijuese dhe shituese!
Tetova nuk ka vdekur, ballkani nuk ka vdekur, mbijeton shkaku qytetit – qytetërimit… Qyteti nuk te tregu i gjelbërt, as të Çarshia e Epërme, është m’i madh, është sa Universiteti Shtetëror i Tetovës është sa Pallati kulturës, sa Teatri, është sa Murat Isaku e Abdylaziz Islami, është sa Shkelzën Baftjari, është sa Miftar Memeti, është sa Salajdin Salihi, është sa Refet Abazi, sa Sabedin Selmani, është është sa kultura vetë…
Nëse analizojmë retro ngjarjet kulturore që janë zhvilluar në Tetovë, që nga 94-ta e këndej, na shfaqen si në një shirit filmit, evente të llojllojta e të mirëfillita kulturore, na shfaqet një imazh kohe që largësia e bën të madhërishme dhe përmes vlera që të ka prodhuar dhe i bën të gjithkohshëm, të përjetshëm, të tejbotshëm, gjithë ata njerëz të fisëm dhe me qëllime fisnike. Pikërisht ato organizime letrare, kulturore, teatrore, asokohe kishin vlerën e madhe prej institucioni të kulturës.
Në Tetovë kultura ka traditën e saj, ka njerëzit e saj, ka vlerën të cilën vazhdimisht e rrit me suksese të reja. Të mësuar nga të parët, nga miqtë shkrimtarë, aktorë e muzikantë, që trasuan një udhë të rëndë dhe jo të shtruar me lule, na dhanë shembullin e ruajtjes së vlerave kulturore.
Një vlerë që synon të bëhët e gjithkohëshme, në sferën e artit filmik, është edhe festivali ndërkombëtarë i filmit TIFF ODA që organizihet këto ditë në Tetovë në Pallatin e Kulturës. Ky festival që mbahet për të tretën herë tashmë ka krijuar imazhin e saj si një prej organizimeve SERIOZE filmike në Maqedoni, dhe mirërenditet për nga rëndësia me festivalet tjera të kojshive tonë. TIFF ODA ka një mënaxhim të suksesshëm falë udhëheqësit të saj aktorit Sabedin Selmanit dhe një ekipi serioz si aktorë, udhëheqës, disajnerë, mjeshtër dritash e fotografie, piar…
Festivali TIFF ODA është aq i kompletuar sa ngjan si një puzzle kur gjithçka ka vendin e gjetur dhe në fund kompletohet fotografia e madhe e vlerës së madhe dhe shumë të nevojshmë për shëndetin e kulturës.
I organizuar mirë, me një agjendë të mirëmenduar, me program filmash që rrallë, unikal për disa ditë me rradhë bëri që Tetova të ndejë katarzën e kulturës filmike tonën dhe të huajën. Filmi Hero që u shfaq në ditën e parë të festivalit, ishte mbresëlënës. Salla e mbushur deri në karrigen e fundit tregonte intresimin e publikut i cili duartrokiste çdo sukses. Heroi në regji të Luan Kryeziut qe filmi që të emocionon me të vërtetën e madhe që na e thotë, përmes personazhit që flet sa një realitet. Heroi nuk është komandanti i vetëm i luftës, kolonel markezi pa dekorata, është kipc i shumë të ngjashmive tjerë, është njeriu-kohë, është njeriu që vlerën e luftës se këmbeu kurrë me tendera të korruptuar…
Dihet se të organizosh një festival shto kësaj përcaktorin ndërkombëtarë duhet një sasi e madhe mjetesh finansiare dhe kjo shumë edhe pse e pjesshme nuk qe fajtori që ky festival mos i bëj tre vjet. Simbolike janë ndihmat nga Ministria e kulturës së R.M -së por këtij festivali i ndihmoi shumë edhe Komuna e Tetovës në krye me Teuta Arifin e cila e nderoi festivalin edhe me pjesëmarrjen e saj.
Tetova ka një përparësi, ka një kryetare që vjen nga letërsia, një poete, një njeri të kulturës dhe përkrah çdo iniciativë që promovon vlerë të mirëfillta kulturore.
Ballkani ka vdekur qe filmi i rradhës që dha emocion tjetërfare. Pse vdekje, pse hiri, pse zhdukja… Mund të vdesë njeriu, por jo vepra e tij. Andaj kultura nuk vdes në Tetovë, që këtë qytet që kaherë është thenë se është qendra e kulturës shqiptare.
Tetova si qytetet është figurë personale, është metaforë, është topos dhe megametaforë jetësore. Tetova përjetohet si mes jetësor, si mënyrë jetesë, si ndjeshmëri, si mendësi, si mënyrë komunikimi, si ideologji e filozofi. Tetova është apelacion, është pëftesë shpirtrash për ahengje, muzikë dhe rock n’roll. Qyteti është shpresëdëshpirimi vetë. Qyteti nga larg duket kozmpolit. Qyteti im nuk është fenomen estetik si Shkupi 2014. Qyteti im është model kulturor ka teatër, ka karrike por KA EDHE SHIKUES.














