Reagon Bujar Osmani: Unë vetëm i paraqita qëndrimet e BDI-së për rastin ‘Monstra’
Pas reagimit të organizatës joqeveritare, “Lëvizja për Vizion të Përbashkët”, e cila kërkoi sqarim nga zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, për deklaratat e mëparshme për rastin “Monstra”, sipas të cilëve asnjë i pafajshëm nuk do të dënohet, ka reaguar lidhur me këtë, Bujar Osmani, njofton portali Almakos.
Ai thotë se se vetëm një injorant mund të kërkojë përgjegjësi nga ai, duke thënë se vetëm i ka prezantuar qëndrimin e BDI-së.
“Kam kohë që hesht për keqpërdorimin e emrit tim në lidhje me rastin “Monstra” dhe kjo për shkakun e ndjeshmërisë së rastit. Por sot kur disa persona që punojnë për portalet e VMRO-së më thërrasin mua në përgjegjësi, dua t’u bëj me dije se vetëm një injorant i instrumentalizuar për qëllime një Zot e di se çfarë, mund të kërkojë përgjegjësi nga një zëdhënës partie.
Për të hedhur dritë mbi rrethanat e deklaratave të mia, dy vite më parë, dua të sqaroj se natën e aksionit “Monstra” kam kujdestaruar në punë dhe të nesërmen kam paraqitur qëndrimet e partisë, ashtu siç më janë paraqitur mua. Qëndrimi im personal, atëherë dhe sot, për këtë rast gjyqësor, është se, duke mos paragjykuar fajësinë, duhet parë argumente bindëse dhe prova të besueshme për vendimin final. Në rast të kundërt, Gjykata e Apelit nuk mund të ketë alternativë tjetër përveçse të kthejë rastin për gjykim të sërishëm në shkallë të parë”, - thekson Bujari Osmani i BDI-së








