Çështja e shqiptarëve në Maqedoni dhe strategjia që na mungon - tetova1.com

Çështja e shqiptarëve në Maqedoni dhe strategjia që na mungon


Kategoria: Opinione

Postuar më: Mër, Kor 9, 2014





Sadri Ramabaja

Në historinë politike të Shqipërisë dhe shqiptarëve, platforma politike për krijimin e shtetit shqiptar u hartua nga shkencëtari me nam, siç ishte Sami Frashëri. Prandaj ajo u kurorëzua, pavarësisht se me vonesë të theksuar, me krijimin e Shqipërisë politike (1912), që shërbeu për 100 vjet si nukleus i kombit tonë. Ndërkaq, sa herë që në krye të lëvizjeve politike (ilegale në Kosovë dhe Maqedoni) shmangeshin shkencëtarët, mendjet e ndritura… nga pozitat vendimmarrëse e në krye dilnin poetët e shkrimtarët, kauza bastardohej. Ngjashëm siç ndodhi në prag të luftës në Kosovë, kur merrej peng Ukshin Hoti dhe lider promovohej një shkrimtar e kritik mesatar (Ibrahim Rugova), ndërkaq në kulmin e luftës, në krye të Drejtorisë Politike të UÇK, instalohej një çun pa përvojë (Hashim Thaçi), duke lënë larg tryezave vendimmarrëse Ibrahim Kelmendin dhe gjithë Kryesinë e LPK-së…

Flamuri dhe parullat politike

Disi ngjashëm mund të ndodhë edhe me protestat që po zhvillohen në Maqedoninë shqiptare, kur po ndihet mungesa e madhe e Arbën Xhaferit, kur Ali Ahmeti duket sikur të jetë “peng” i mungesës së strategjisë përkatëse, që do të duhej të ishte hartuar me kohë në Tiranë, e kurrsesi i vullnetit të tij politik. Ndërkaq, për të mbushur këtë vakum, mediet pretendojnë ta promovojnë Kim Mehmetin si një zë i artikulimit qytetar!

Noli ynë i madh do të thoshte: Ajme!

Protestat dhe demonstratat e shqiptarëve në Maqedoni (harta e protestave në ditën e tretë u zgjerua ndjeshëm) kanë mbulesë reale, arsyeshmëri të plotë politike. Ato të bëjnë të ndjehesh krenar me shpirtin kryengritës shqiptar. Por, çështja është se kush i organizon ato dhe cila është agjenda politike, së cilës do të duhej t’i shërbente kjo lëvizje qytetare. Po të fillonin këto protesta në sheshet para Kuvendit, para Qeverisë, para gjykatave apo aty prej sheshit Skënderbeu, dhe po qe se në ballë të tyre do të ishte vetëm Flamuri Shqiptar pasuar me banderolat me parullat politike, që kanë mesazh të qartë, çështja do të ishte gjykuar krejt ndryshe, jo vetëm nga faktorë që po e mbajnë nën kontroll shpërthimin dhe shuarjen e Maqedonisë, por edhe nga miqtë tanë. Dhe në këtë kuadër, kërkohet impenjim i inteligjencës dhe faktorit politik. Këtë vrull e malgamë kryengritëse, nuk duhet ta lëmë që ta përpunojnë ata që nuk kanë asgjë me agjendën shqiptare…

Një grusht individësh shqipfolës, pjesë e protestuesve dje në Mitrovicë e sot në Shkup, ka kohë që kanë shpërfaqur krizë identiteti.

Publicisti i mirënjohur yni në Maqedoni, Emin Azemi, duke iu referuar këtij fenomeni, përveç tjerash shkruan: “Shqiptarët në Maqedoni asnjëherë nuk kanë marrë leje nga partitë politike se ku duhet t’i zhvillojnë protestat e tyre. Ata as në 2001 nuk e pyetën PPD dhe PDSH se në cilin mal do t’i vendosin gulinovat, ndonëse fatkeqësisht edhe atëherë pati tendenca (nga disa politikanë shqiptarë) që pakënaqësinë e shqiptarëve ta projektojnë gabimisht si konflikt brendashqiptar.

I pari që e theu këtë skemë djallëzore të vetëbaltosjes ishte Arbën Xhaferi, i cili dërgoi një sinjal të qartë politik e intelektual Shkupit zyrtar dhe kancelarit diplomatik botëror se konflikti nuk ishte i importuar nga Kosova, se konflikti nuk ishte brendashqiptar dhe se kriza politike nuk mund të zgjidhej me mjete ushtarake.

E drejta për vetëvendosje

Problemi i shqiptarëve të Maqedonisë është vuajtja e pasojave që dalin nga Kushtetuta, e cila është në shpërputhje me realitetin shumetnik, prandaj koncepti kushtetues i shtetit duhet urgjentisht të harmonizohet me realitetin, thoshte A. Xhaferi. Ai nuk hezitonte t’i jepte të drejtë gueriljes shqiptare në v. 2001, e cila nuk kërkonte asgjë më tepër se inkorporimin e statusit juridik e kushtetues të shqiptarëve në konceptin e ndërtimit të shtetit.”

Fare pak, pothuajse asgjë, nuk mund t’i heqësh këtij konstatimi të atëhershëm të Arbën Xhaferit, të dhënë që në vitin 2001.

Fundja, si shqiptarët edhe diplomatët e huaj, e kanë tashmë të qartë: çështja e shqiptarëve në Maqedoni në thelb mbetet pjesë e pazgjidhur e çështjes shqiptare në Ballkan. E drejta e tyre për vetëvendosje të brendshme nuk duhet tutje të kamuflohet me Marrëveshjen e Ohrit. Ndërkaq, e drejta për vetëvendosje të jashtme është çështje që do shtrohet në çastet kur ezaurohen të gjitha përpjekjet për realizimin e të parës.

Edhe protestuesit sot, hiq kategorisë së inkriminuar me ideologjinë e islamit radikal, kanë plotësisht arsye të jenë të mllefosur me Shtetin që iu rri si saç mbi kokë edhe tashti në vitin 2014, duke inkriminuar veprime që i ngjajnë si veja vesë atyre që kishte inkriminuar policia politike e Serbisë në Kosovë (Rasti i Pejës në vitin 1998 tek i kishte vrarë vetë gjashtë adoleshent serbë në një lokal-kafe, etj.). Por, meqë çështja e Maqedonisë na rezulton më e ndërlikuar ngase mund ta lexojnë disa shkrimtarë tanë mesatarë, atëherë ka nevojë për racionalitet politik.

Koordinimi i politikave në dobi të kombit

Keqpërdorimi i masës nga ana e qarqeve politike në momente të caktuara tashmë njihet si fenomen politik. Ata që e njohin gjendjen në Maqedoni dhe interesat amerikane në këtë pjesë të Evropës Juglindore, nuk e kanë të vështirë ta thonë fare se përdorja e ikonografisë islame në protestat e shqiptarëve në Shkup është një lloj vetëvrasje politike. Keqpërdorimi i protestave plotësisht të arsyeshme, duke u fshehur prapa vellos së një nacionalizmi hibrid, zgjatim të pranverës arabe(!), nuk i shërben çështjes shqiptare.

Shih për këtë, dy republikat tona, sado të dobëta që janë, e sidomos Tirana zyrtare, duhet urgjentisht të dalin me strategji të qartë veprimi dhe të koordinojnë politikat në dobi të kombit…

Kjo strategji do t’i shërbente në radhë të parë unifikimit politik të faktorit shqiptar në Maqedoni, duke e faktorizuar atë si në raport me faktorin maqedonas-bullgar, ashtu edhe me qendrat vendimmarrës, por edhe kauzës sonë në plane afatgjata.

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net