DAP: TVSH-ja nuk do të rrezikojë firmat e vogla
|
Drejtoria e të Ardhurave Publike i cilëson të pavërteta kritikat e ekspertëve dhe të opozitës se ulja e pragut për obliguesit e TVSH-së do t’i shkatërrojë firmat e vogla. Numri një i kësaj drejtorie Goran Trajkovski, tha se dëmin e vetëm mund ta ketë buxheti i shtetit, jo firmat që kanë qarkullim mbi 16 mijë euro në vit, përkundrazi, këto firma që bëhen obligues tatimor me ndryshimet e reja kushtetuese, do të kenë tashmë fitim të pastër.
“Çdo obligues i vogël TVSH-je, sipas përkufizimit krijon efekt negativ të TVSH-së në llogarinë buxhetore. Kështu është në Maqedoni dhe kudo në botë, edhe para 10 vitesh, edhe sot, apo edhe pas 10 viteve”, tha Goran Trajkovski, drejtor i DAP.
Sipas të dhënave nga viti 2013, mbi 10 mijë persona juridik dhe tregtarë individual do të bëhen obligues tatimor. Kjo do të thotë se ato kanë mbi 1 milion denarë ose 16 mijë euro qarkullim vjetor. Sipas ligjit, në atë moment kur shënohet qarkullim prej 1 milion denarësh, me automatizëm firmat bëhen obligues tatimor. Trajkovski publikoi shembuj klasik se si obliguesit tatimor bëhen akoma më konkurrentë në treg.
“Ai që nuk është obligues tatimor, jo vetëm në Maqedoni, por edhe kudo në botë, në tregun dominues është në pozitë inferiore. Gjithë ajo që u spekulua këto ditë, se të qenët obligues tatimor, për firmat e fogla nënkupton dënim me vdekje, është gënjeshtër, sepse të gjitha përvojat flasin në favor të këtyre fakteve që unë përmenda”, u shpreh Goran Trajkovski, drejtor i DAP.
Ulja e pragut për obliguesit tatimor, nga 32 në 16 mijë euro qarkullim, shkaktoi reagime në opinion. Një pjesë e ekspertëve vlerësuan se firmat e vogla do të mbyllen për shkak se në këtë kategori do të përfshihen edhe shitoret e vogla, floktaritë, larëset e makinave, zejtarët etj. Goran Temenugov







