Një frymëzues i përjetshëm fetar i popullit “Mulla Jakup Asipi” - tetova1.com

Një frymëzues i përjetshëm fetar i popullit “Mulla Jakup Asipi”


jakup asipi
Kategoria: Intervista / PLUS / TOP LAJM

Postuar më: Thu, Jul 31, 2014





Evokim kujtimesh me familjarët e të ndjerit Mulla Jakup Asipi

Biseda u realizua me Sadudin Jakupin, djalin e të ndjerit Mulla Jakup Asipi dhe Sead Ramadanin, djalin e vëllait të tij

Morëm rrugë për në fshatin Sllupçan të Kumanovës, për në vendlindjen e Hoxhës së ndjerë, Mulla Jakup Asipi, ku ende jetojnë familjarët e tij. Shkuam për vizitë kësaj familjeje, për një bisedë të lirë në lidhje me jetën e të ndjerit dhe kontributin e tij në jetën fetare. Familja e të ndjerit, Mulla Jakupi, na bëri një pritje shumë të përzemërt, ku zhvilluam një bisedë me djalin e vëllait dhe njërin nga dy të djemtë e hoxhës së ndjerë, pasi që njëri ishte tashmë pesë vjet në Zvicër. Hoxha i ndjerë kishte tre fëmijë. Vajza ishte më e madhja, ndërsa pasonin edhe dy djem. Djali i tij Sadudini, fëmijën e vet e kishte pagëzuar me emrin e hoxhës së ndjerë. Nga kjo vizitë morëm disa përshkrime rreth jetës së tij. Mulla Jakup Asipi ka qenë një njeri plot optimizëm dhe optimizmin e tij e ka reflektuar tek të gjithë që kanë qenë pranë tij.

Virtytet e karakterit të Hoxhës

Hoxha ka qenë një njeri i cili shumicën e kohës e ka kaluar nëpër aktivitete, tribuna, mbledhje, dhe kur ka pas nevojë populli, ai ka qenë atje në shërbim të tyre. “Ndër virtytet e karakterit të tij ishin: saktësia në kohë, çdo premtim që e ka dhënë është munduar që maksimalisht ta realizoj. Kohën që kalonte në shtëpi, na tubonte ne familjarët për të biseduar rreth gjendjes aktuale dhe familjarëve në shtëpi. Kontakti me fëmijët ka qenë normal, si çdo prind me fëmijët e tij. Çdoherë ishte në aktivitet, dilte dhe punonte kopshtin para shtëpisë. Bënte shumë adhurim dhe lexonte shumë. Për ditë të xhumasë, ai bënte një përgatitje të detajuar. Për ligjëratën që do ta mbante atë ditë, lexonte nga gjashtë deri në shtatë orë në ditë, pra dyzet orë në javë. Ditët e xhuma tubohej xhemat nga të gjitha anët. Pas faljes së namazit, ai së bashku me një pjesë të xhematit vinin në shtëpi dhe u ofronte ushqim nga ajo çka e kishim përgatitur për të gjithë në shtëpi”, rrëfen për babanë e ti të ndjerë, i biri Sadudin Asipi, i cili nuk e ndjente distancën e kohës së kaluar.

Biblioteka e Mulla Jakup Asipit, si nektar për thithjen e dijes

Gjatë jetës së tij, Mulla Jakup Asipi ka mbajtur mbi 5000 ligjërata. Ideja e tij, para se të ndërrojë jetë ishte që të bëjë një përmbledhje nga ligjëratat e tij dhe të bëjë një libër që do të kishte mbi njëqind vëllime. Incizimet që qarkullonin nëpër internet mbi 500, janë vetëm 10 për qind nga totalja. Diku 10 vjet të jetës së tij i kishte kaluar duke lexuar. Ndërkohë, djali i hoxhës tregon se dy librat që janë në qarkullim ,,Sinqeriteti” dhe ,,Dituria” janë përmbledhje të disa nga ligjëratat që i ka mbajt hoxha i nderuar. Ndërsa tani jemi të informuar se po grumbullohen materiale për librin e tretë, që do të titullohet: “1001 thëniet” e hoxhës Jakup Asipi. Ne kishim rastin dhe nderin që në shtëpinë e hoxhës ta shohim edhe bibliotekën e tij, e cila edhe sot ishte përplot me libra që i kishte studiuar. Në bibliotekën e tij private, secili libër kishte veçantinë e vet, por vetëm një Kur’an dallohej prej tyre, atë të cilin i kishin dhuruar hoxhës në Gjermani në vitet e 80-ta. Ky libër i shenjtë e kishte domethënien e vet, sepse ishte nga një shtëpi e një mërgimtari në Gjermani që ishte djegur, por vetëm Kur’ani kishte mbetur pa u djeg, duke u bërë kështu pjesë e bibliotekës së Mulla Jakupit, thotë Sadudin Asipi.

Në bisedë u ndërlidhen edhe ngjarjet e vitit 1998, kur pikërisht Hoxha ishte implikuar në depërtimin e refugjatëve nëpër kanalin Bellanovc-Stanqiq, për në Kumanovë. Ndërkohë, edhe pse qeveria insistonte që refugjatët të transferohen në perëndim, Mulla Jakup Asipi tregoi guximin e tij për t’i strehuar ata në Kumanovë dhe në rrethinën e saj.

Vizioni i mprehtë i Mulla Jakup Asipit

Bisedës i bashkëngjitet edhe Sead Ramadani, djali i vëllait i Mulla Jakup Asipit. “Hoxha ka qenë frymëzues për të gjitha moshat, si atëherë kur ishte gjallë, ashtu edhe sot. Një student nga Prishtina ishte frymëzuar nga ligjëratat e hoxhës së ndjerë dhe temën e magjistraturës e kishte përgatitur për “Banorët e Shpellës”, ku inspirimin e kishte marrë prej Sures Kehf, ku kalon ngjarja për “As-habul Kehf” (Banorët e Shpellës). Hoxha i nderuar gjithmonë ka qenë i afërt me njerëzit dhe me kënd ka biseduar i ka lënë mbresë biseda e tij, sepse ai çdo gjë e ka analizuar nga thelbi. “Në renovimin e xhamisë ai ishte punëtori më meritor dhe së bashku me punëtorët e tjerë punonte në mënyrë intensive dhe asnjëherë nuk i ka prituar punës”, shton Sead Ramadani, duke vazhduar bisedën me tërë emocione. “Çdoherë që dilte para popullit, ai nuk ishte një hoxhë i thjeshtë, por me dijenin që kishte ishte një enciklopedi e vërtetë. Hoxha gjithmonë ishte plot me energji dhe çdoherë ishte në mesin e popullit. Ai ishte një njeri që kishte një vizion të mprehtë për të ardhmen. Në bisedat familjare, gjatë viteve 1985-1986 thoshte se do të vijë një ditë që prej në dhomë do t’i lexojmë librat e bibliotekave botërore, gjë që për ne ishte vetëm një imagjinatë. Ishte kjo një kohë kur as interneti e as celulari nuk ekzistonin. Ishte viti 2000, ku në ambient familjar Hoxha thoshte se pas vitit 2010 bota do të profilizohet ideologjikisht. Do të shuhen luftërat nacionale dhe do të fillojë lufta psikologjike. Në vitin 2025, Islami në perëndim do të fillojë të lulëzojë, kështu që myslimanët nuk do ta ndjejnë veten si të huaj në ato treva”, u shpreh Sead Ramadani.

Hoxha ka kontribuar në të gjitha sferat

Pasi e kreu shkollën fillore, hoxha Asipi nuk u regjistrua menjëherë në shkollë të mesme. Ai në ato vite ka punuar në fushë dhe çdoherë ka qenë në krye të punës, duke mos përtuar fare. “Dasmat në fshat asokohe tradicionalisht organizoheshin nëpër shtëpi dhe të shpërndarë nëpër dhoma. Rinia prisnin që së pari të hyjë në dhomë ai dhe pastaj të vinin të tjerët. Të rinjtë kërkonin që të ndajnë të njëjtën dhomë me të, megjithatë pranonin që të qëndrojnë edhe në prag të derës, ngaqë dhoma ishte e mbushur përplot. Arsyeja për një gjë të tillë ishte aftësia e tij për të formuar një atmosferë të mirë për njerëzit. Çdo punë që e bënte apo çdo aktivitet, nuk e bënte vetëm thjeshtë për ta bërë, por i dilte zot punës deri në fund. Ai ka qenë një njeri i integruar në shoqëri dhe çdo herë që do të kishim ndonjë problem e ndanim me të, ngaqë e dinim se ai mund të na udhëzojë dhe të na motivojë që të mos dëshpërohemi, por që ta nxjerrim maksimumin nga vetja jonë”, shton ai. Më 4 tetor 2003, hoxha i nderuar u emërua si myfti në qytetin e Kumanovës, ndërsa pas emërimit, ai caktoi një imam tjetër në vend të tij. Mirëpo, ai nuk e mbajti ligjëratën e fundit në Kursi të Xhamisë, vetëm për arsye që popullata të mos thotë “Hoxha i kryen dy punë”, thekson djali i tij.

Më 7 janar 2006, ishte dita kur morëm lajmin se hoxha kishte bërë një aksident trafiku dhe një orë pas aksidentit kishte ndërruar jetë në Spitalin e Shkupit. Pikërisht në këtë datë, siç tha edhe një koleg dhe mik i tij, Ballkani e humbi dijetarin më të madh. Edhe prezenca e xhematit në varrezat e dëshmorëve tregonte se ai ka qenë një njeri me virtyte të larta. “Mirëpo, sot e kësaj dite, miqtë e tij ende vijnë dhe e vizitojnë familjen dhe kanë respekt të madh ndaj familjes së tij. Një organizatë nga Turqia, për hir të bashkëpunimit me hoxhën, ka emëruar xhaminë në kryeqytetin Mogadishu të Somalisë me emrin “JAKUP ASIPI”, thekson Sadudini. Boshllëku që ka lënë në rajon, fshat dhe familje nuk mund të zëvendësohet aq lehtë, kurse ngritja e zërit me qëllime të mirëfillta po mungon sot. Një diçka është e qartë, se veprat e tij nuk zhduken dhe ende janë në shërbim tonin, duke na udhëzuar në rrugë të Zotit.

Ja disa nga thëniet më mbresëlënëse të të ndjerit Hoxhë Mulla Jakup Asipi:

“Disa njerëz janë bërë si gjuha angleze, ajo ndryshe shkruhet dhe ndryshe lexohet, edhe ata ndryshe flasin dhe ndryshe veprojnë”.

“Mos e ngrit zërin, por ngrite fjalën, është shiu ai që i rrit lulet, jo bubullima!”.

“Mësojeni diturinë, por kurrë nuk do të paguheni tek Zoti, nëse nuk do të punoni me to”.

“Në barnatore mos i zgjidhni ilaçet për nga paketimi, sepse edhe helmi ka paketim të bukur”.

“Populli ka një dobësi të madhe. E dëgjon hoxhën e vet shumë mirë, fetvanë për veprim e merr jashtë xhamisë”.

“Nëse në pemën e quajtur Islam gjethi e luan rolin e trungut, treni jonë do të ngec”.

Hoxha që mbajti 5.000 ligjërata fetare mbresëlënëse

“Mos e ngrit zërin, por ngrite fjalën, është shiu ai që i rrit lulet, jo bubullima!”, thoshte shpesh para popullit, Mulla Jakup Asipi

Një biografi e shkurtër për Mulla Jakup Asipin

Jakup Asipi lindi në fshatin Sllupçan më 2 shkurt 1951. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, ndërsa shkollimin e mesëm në Damask të Sirisë, në medresenë El-Furkan, në vitin 1980. Studimet i kreu në universitetin e famshëm Al-Az’har, në fakultetin e bazave të Fesë Islame të Egjiptit në vitin 1985, ndërsa studimet post-diplomike i vazhdoi në Bejrut të Libanit.

Gjatë viteve 1985-1990 punoi si imam në një xhami në Leverkusen të Gjermanisë, ku ka dhënë kontribut të çmueshëm në kultivimin e vlerave fetare, morale, kulturore e kombëtare.

I vetëdijshëm për situatën në trojet tona, në vitin 1990 kthehet në vendlindje për të kontribuar në gjendjen e rëndë të popullatës. Në ligjëratat e tija ishte shumë i përpiktë dhe i guximshëm, kështu që u ka bërë ballë kërcënimeve dhe marrjeve të shumta në pyetje nga ana e policisë sllavo-maqedonase. Nga kjo periudhë e gjer në vdekjen e tij ka organizuar mbi 5000 ligjërata, kontribut ky që ka dritë çdo ditë në trojet tona përmes ruajtjes multimediale.

Më 8 janar, e diel, dhjetëra mijëra vetë nga të gjithë trevat shqiptare, i dhanë lamtumirën e fundit hoxhë Jakup Asipit, i cili humbi jetën në një aksident trafiku, në magjistralen Kumanovë-Shkup. Aksidenti ndodhi rreth orës 15:30, ndërsa hoxhë Jakup Asipi ndërroi jetë një orë më vonë në Spitalin e Shkupit.

Pas faljes së namazit të ikindisë, arkivoli i të ndjerit u drejtua për në varrezat e dëshmorëve në fshatin Sllupçan, ku ishin tubuar familjarë, bashkëfshatarë, miq dhe shumë shokë të tij nga Maqedonia, Kosova, Shqipëria, Lugina e Preshevës dhe diaspora shqiptare./Zaman Shqip

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net