Tasevski zëvendëson Ferençinan te Shkëndija? - tetova1.com

Tasevski zëvendëson Ferençinan te Shkëndija?


Kategoria: Sport / TOP LAJM

Postuar më: Sun, Aug 31, 2014





Zhikica Tasevski shihet si kandidatë për tu ulur në postin e trajnerit te Shkëndija. Ish strategu i Rabotniçkit, Metalurgut dhe Vardarit në Maqedoni mund të zëvendësojë Ferençinan në postin e trajnerit, pasi drejtuesit e klubit dhe tekniku kroat kanë vendosur të ndërpresin bashkëpunimin pas serisë së rezultateve dhe paraqitjeve të dobëta.

Pas eliminimit që në raundin e parë në Liga Evropa nga Zimbru, Shkëndija nën drejtimin e strategut kroat, Roj Ferençina në 6 xhiro të zhvilluara në elitën e futbollit vendor ka shënuar vetëm dy fitore, dy barazime dhe dy disfata, që është shumë pak për një skuadër me një fond të tillë të futbollistëve që ka aktualisht në disponim.

Shkëndija dy fitoret e vetme i ka shënuar në teren vendas, edhe atë kundër Bregallnicës me një gol të shënuar në minutat shtesë të takimit, si dhe kundër Horizont Turnovës (5:2), dy disfatat i ka pësuar në arenën “Filipi i Dytë” nga Vardari (3:0) dhe Rabotniçki (3:2), ndërkohë baraz ka luajtur në Shkup kundër Metalurgut dhe në Tetovë kundër Renovës.

Pikërisht në ndeshjen kundër Renovës prezent të tribunat e stadiumit në Tetovë ka qenë edhe Zhikica Tasevski, i cili në një intervistë të shkurtë për infOSport.mk, u shpreh: “Nuk më ka kontaktuar askush nga Shkëndija, mirëpo kam informacione që presidenti i tyre ka pyetur për mua. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë jam i nderuar që një skuadër kaq e organizuar si Shkëndija interesohet për mua”.

Zhikica Tasevski së fundmi ishte pjesë e stafit teknik te skuadra bullgare e Lokomotiv Plovdiv, nga e cila skuadër u largua gjatë muajit maj, ndërsa emri i tij së fundmi lidhej edhe me kombëtaren shpresa të Maqedonisë, por që nuk u realizua. Mbetet të shohim nëse Shkëndija do të vendos për të bashkëpunuar me këtë strateg të ri, i cili është treguar mjaft i suksesshëm me skuadrat që ka udhëhequr gjatë karrierës së tij.

Përndryshe para pak minutash Shkëndija e zyrtarizoi largimin e Ferençinës nga pozita e trajnerit.

 

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net