BDI: Përmendoret e reja dhe “Shkupi 2014″ mbajnë firmën e PDSH-së
|
Qëndrimi i Bashkimit Demokratik për Integrim për proektin kontraverz Shkupi 2014 është konsekuent dhe mbetet i pandryshueshëm. Ky proekt nuk pasqyron realitetin e shoqërisë në Maqedoni dhe paraqet një pasqyrë inekzistuese monoetnike dhe monofetare të vendit.
Në vitin 2007, proekti kontraverz, monoetnik dhe monofetar Shkupi 2014, u miratua nga Ministrat e PDSHsë të cilët qeverisnin me vendin pa votat e shqiptarëve dhe nëpërmjet të uzurpimit të institucioneve shtetërore. Në Qershor të vitit 2014, PDSH mbeti besnike ndaj proektit që e karakterizon këtë parti politike.
Në seancën e Këshillit të Qytetit të Shkupit në muajin qershor, pika e 15 e rendit të ditës ishte miratimi i vendimit për vendosjen e 5 përmendoreve. Ky vendim kalohet me shumicë të dyfishtë dhe këshilltarët shqiptar lehtësisht mund ta rrëzonin nga rendi i ditës.
Por, këshilltarët e PDSHsë të cilët qëndruan në mbledhje deri në pikën e 14 të rendit të ditës, çuditërisht u tërhoqën nga mbledhja para votimit të pikës së 15 (përmendoret) dhe në këtë mënyrë e mundësuan miratimin e këtij vendimi, për të cilin këshilltarët e BDI votuan kundër.
Në këshillin e qytetit të Shkupit, VMRO DPMNE ka 6 këshilltar jomaqedonas, BDI ka 5, PDSH ka 3 dhe LSDM 1. Në mbledhjen e lartëpërmendur, gjer në pikën e 14 të rendit të ditës kanë qenë prezent 4 këshilltar nga BDI dhe 2 nga PDSH që mjaftonte për ta ndaluar miratimin e kësaj pike nga rendi i ditës sepse edhe këshilltarja e LSDM votoi kundër. Por, për fat të keq të Shkupjanëve dhe shqiptarëve në përgjithësi, PDSH kishte marrëveshje paraprake për ta përkrahur vendosjen e 5 përmendoreve të reja, njejtë sikur që e përkrahi edhe proektin Shkupi 2014.
Përmendoret e reja në qytetin e Shkupit, ashtu si i gjithë proekti Shkupi 2014, bashkë me të gjitha proektet monoetnike dhe monofetare në kryeqytet mbajnë firmën dhe miratimin e Partisë Demokratike Shqiptare.
BDI u përpoq që ti jep karakter multietnik proektit duke ndarë mjete buxhetore për Sheshin Skënderbeu në Shkup, Teatrin Kombëtar Shqiptar në Shkup, Teatrin dhe Bibliotekën në Tetovë, Kampusin Univerzitar në Shkup bashkë me tre përmendoret shqiptare që janë miratuar për tu vendosur në shesh, por pa marrë parasysh të gjitha këto, mbetet shija e hidhur tek të gjithë ne për këtë trashëgimi që PDSH po ia lë Shkupit dhe të gjithë shqiptarëve në përgjithësi.










