Reklamimi neveritës - tetova1.com

Reklamimi neveritës


Kategoria: Opinione

Postuar më: Wed, Sep 10, 2014





Miat Sadiku

Pa pasur synim teoretizimin e sferës mediale në Maqedoni, vetëm një hedhje syri në kanalet televizive “nacionale”, situata qartësohet në mënyrën më të vrazhdë.
Rastis që gjatë shetitjes nëpër kanalet televizive, varësisht nëse pëlqejmë seriale përplot me dashuri të dështuara, fate mitike induso- turke, divorce e mashtrime serbe, filma artistik ose programe dokumentare, në mes të programit ju ndërpresin reklamat! E zakonshme për kanalet komerciale. Dhe sa hap e mbyll sytë të del përballë ai tipi i veshur në stilin safari në mes të borës apo bjeshkës dhe të habit duke t’a reklamuar ekzotikën e katundit apo livadhit tënd , saqë ndjehesh paksa idiot që gjithë këto vite nuk e ke ditur sa i bukur qenka vendi yt!! Ate malin me plehra, mu aty afër “parajsës televizive” të lagjes sate, e rregullojnë profesionistët e efekteve special pa problem. Kësaj i thonë : e sheh ti po se sheh bota!
Nejse, të pëlqen vendi yt padyshim. Dhe ai tipi, ndërkohë që ti bën me gishta si t’ja bësh me fletoret e lapsat e voglushit tënd, ai numëron parat e fituara falë patriotizmit dhe shërbimit ndaj atëdheut.
Edhe kaq do ishte boll, po më vonë pason pjesa e dytë e reklamave, këtë rradhe rrëshqasin germa të nënvizuara me stemën e repubikës, e në sfond një zë gati kompjuterik, përsërit apelin dhe inkurajimin e ministrisë përkatëse për kushtet e favorshme për studime doktorature për pensionistët. Edhe kjo ndodh në rraste të veçanta, për ato të apasionuarit e dijes, që mbase talentin e tyre nuk kanë mundur ta realizojnë më herët falë kushteve jetësore. Por, kur të lexoni kush e ka realizuar teknikisht ate reklamë dhe kush është porositësi, menjëherë u bjen në tokë entuziazmi fillestar, e kuptoni që askujt nuk I bëhet vonë për pasionin e ndonjë gjyshi që s’ka arrit të doktoroj në rini. Dikush, në ndonjë studio luksoze, sërish kalkulon fitimin dhe provizionet!
Sa të ik pak mërzia me vazhdimin e filmit, hop i njejt zë, shkronjat, stema, këtë herë lexohen kushtet për shlyerjen e borxheve për hallexhinjtë. Kohë për gëzim s’ka! “Rrafall” lexohet edhe “dengu” i dokumenteve, kushtet e veçanta për kualifikim: numri I këmbës, orientimi seksual, ngjyra e syve dhe statusi i aplikantëve. Për pak sa nuk thonë edhe: “ O kot e keni, nuk ja vlen barra qeranë”!!!! Në fund, me germa fare të imta, e njejta studio ka dizajnuar dhe prodhuar materialin qeveritarë, edhe kanalit televiziv i mungon vetëm fotoja e varur e LIDERIT, si dikur ajo e shokut Tito.
S’ndodhi që gjatë publiciteteve të reklamohet asnjë furçë dhëmbësh, asnjë aparat, asnjë ilaç apo detergjent me etiketën Made in Macedonia, edhe pse, ministrat me tesha firmato , promovojnë idenë e krijimit të brendeve vendase!
Në këtë tekst mund të gjeni ndonjë fjalë të tepëruar, ndonjë krahasim banal, por do gjeni shumë të vërteta dhe një arsye për të menduar, sepse tëgjthë paratë që dikush i arkëton nga emetimi, prodhimi, distribuimi i këtyre spoteve qeveritare vijnë nga faturat tuaja kur bleni benzinë, kur paguani rrymën, ujin, kur bleni këpucë, atlete për djalin apo kukull për vajzën. Edhe ato që s’arrinë t’u blejnë dhuarata fëmijëve paguajnë, ska pardon! Jeta jonë ngjason në një film, tallja me fatin e tjetrit bëhet rol i preferuar, çështje është ç’do të ndodhë kur të fiket televizori?!

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net