Saliu: “Të humbasësh zgjedhjet nuk është fajtor vetëm lideri i partisë, por e gjithë struktura”
|
Në vigjilje të mbajtjes së Kongresit të rregullt të PDSH-së dhe iniciativës për reforma brenda PDSH-së e cila udhëhiqet nga kreu i qytetit të Strugës, Ziadin Sela, njohës të rrethanave politike në vend shprehin edhe opinionet e tyre për përplasjet e dy kampeve që pretendojnë të marrin kontrollin e PDSH-së.
Këto përplasje të fundit në mes strukturave të Thaçit dhe kampit ‘reformist’ të Selës, në profilin e tij në Facebook i ka komentuar dhe ish-gazetari i shumë të përditshmeve në gjuhën shqipe dhe aktivisti i shoqërisë civile, Urim Saliu, i cili thotë se të humbasësh zgjedhjet nuk është fajtor vetëm lideri i partisë, por e gjithë struktura. “Kur i humb zgjedhjet një parti, nuk i ka humbur ato vetëm lideri, i ka humbur e gjithë struktura, zgjedhjet i ka humbur edhe një votues qoftë edhe i vetëm”, komenton Saliu.
Duke u fokusuar në zhvillimet e fundit në qytetin e Tetovës, posaçërisht kur Komuna e Tetovës udhëhiqej nga PDSH-ja, sipas tij shumë individë që sot janë kundër liderit Thaçi, atëkohë e lartësonin atë ngaqë mbanin pozicione të larta në Komunën e Tetovës. “Tani shoh të njëjtët individë që janë kundër udhëheqjes së PDSH-së. Atëherë ishte shumë i mirë lideri i partisë, ndërsa tani janë kundër dhe janë pro lëvizjes së Selës”, potencon ish-gazetari Saliu.
Duke u ndalur në atë se zgjedhjet a i humb vetëm lideri apo e gjithë struktura, ai citon se janë po këta individë që sot nuk janë më në Komunë të Tetovës sepse i humbën pikërisht zgjedhjet. “Kur humbën edhe privilegjet, ato dolën kundër liderit të partisë. Si mund të garantojnë fitore ato, si mund të thirren te votuesit shqiptar ku të njëjtët humbën Komunën. Edhe ata janë humbës, që nuk do të fitojnë kurrë”, përmbyll komentin e tij Saliu.
Përndryshe, Urim Saliu punoi për mbi 15 vite punoi si gazetar për shumë të përditshme shqiptare dhe ishte futbollist profesionist i klubit të futbollit “Vllazërimi” dhe klubit të futsallit “Elita” nga Sllatina e Tetovës. Aktualisht është profesor i gjuhës shqipe në Gjimnazin e Tetovës dhe aktivist i denjë i shoqërisë civile. /yllpress/





