‘Sa e din dhia çka është tagjia, aq merr vesh BDI-ja nga historia’
Sa kanë njohuri nga historia politikanët tanë që janë në pushtet tregojnë gafat e njëpasnjëshme që bëjnë ata.
Sa për kuriozitetin e lexuesve po përmendim tri gafa që nuk harrohen lehtë.
Gafa e parë ndodhi nga lideri i BDI-së, Ali Ahmeti i cili tha se Goce Dellçevi mbante plis të bardhë kur takohej me shqiptarët.
Gafa e dytë , kur Forumi rinor i BDI-së, me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptarë, vendosi në Tetovë foton e Esat Pashë Toptanit, duke menduar se është e Mehmet Pashë Deralla.
Gafa e tretë me deputetin e BDI-së, Artan Grubin që u fotografua me bustin e Metodija Shatorov-Sharlo në vend të Nexhat Agollit.
Këto tri gafa tregojnë se integristët as që ia thonë fare nga historia.
Publicisti Kim Mehmeti thotë se injoranca politike i ka mbuluar komplet shqiptarët e Maqedonisë.
“Injoranca na ka dalë në shesh dhe ne jemi zhytur në injorancë. Neve na ka mbuluar injoranca e politikanëve tanë, mirëpo kësaj injorance ne i ndërtuam përmendore nëpërmjet politikanëve që na përfaqësojnë dhe tani duhet ta durojmë, duhet të zhytemi edhe më thellë në të që një ditë ta kuptojmë se nuk mundet. Ne shqiptarëve të Maqedonisë kanë nis edhe të na njohin nëpërmjet injorancës politike”, tha Mehmeti për “Lajm”.
Sipas tij problem nuk qëndron tek mosdija, por tek shitja e mosdijes si vlerë.
“Nuk është aty problem se ne mund të mos I dimë të gjitha gjërat, por problem qëndron aty se disa nuk kanë edhe turp nga mosdituria e tyre duan të na e shesin si vlerë. Asnjëherë mosdituria nuk ka qenë vlerë. Kam përshtypjen se te shkollarët tanë krijohet një model i gabuar se njeriu nuk duhet të dijë por duhet të ketë pas vetes parti që e mbështet dhe ai nuk ka nevojë të dijë kurrgjë. Ai mjafton vetëm ti mbrojë ngjyrat partiake dhe kjo është dukuria me e dëmshme që i ndodh shoqërisë shqiptare. Ata përcjellin porosi të gabuara, se nuk është e rëndësishme çfarë ke në kokë, por është e rëndësishme emblemë partiake që e ke vënë në jakën e xhaketës”, theksoi Mehmeti.
Shpesh herë politikanët duke u shtirur si mjaft të mençur bëjnë gafa të natyrave të ndryshme.
Dhe në fund ju sjellim komentin e një analisti shumë të njohur, por që dëshiron të mbetet anonim, i cili thotë “Sa e din dhia çka është tagjia, aq merr vesh BDI-ja nga historia”.
/Lajmpress/





