“Nuk dinë të notojnë” dhe përsëri japin mësim
|
Megjithëse kanë kaluar mbi dy vjet nga realizmi i vlerësimit ekstern të nxënësve nëpër shkollat fillore dhe të mesme, në përjashtim të kaosit dhe paradokseve të shumta që kanë shoqëruar këtë proces - nuk ka as edhe një element kthyes në kuptimin e ndreqjes së defekteve të evidentuara. Nëse do ta merrnim për të mirëqenë objektivitetin e testeve të vlerësimit esktern, mijëra mësimdhënës do të duhet t’i nënshtroheshin procesit të aftësimit për notim të drejtë të nxënësve.
Sepse, “për të gjithë ata që do të konstatohet se nuk kanë notuar objektivisht do të organizohen trajnime përkatëse nga Byroja për Zhvillimin e Arsimit”, paralajmëronte muaj më parë ministri i Arsimit, Abdilaqim Ademi. Trajnimet logjikisht do të duhej të ishin realizuar para fillimit të vitit shkollor 2014/2015, nëse vërtetë shqetësimi institucional ka të bëjë me rritjen e cilësisë së notimit të nxënësve. Konkretisht, nëse MASH-i ishte vërtetë e interesuar që mësimdhënësit të notojnë objektivisht nxënësit, 3.695 të cilët u gjendën në listën e pretendentëve për tu dënuar dhe të mijëra të tjerëve që ishin në kufi të kësaj kategorie, do të ishin trajnuar deri tani. Me këtë nuk do të kishim situata paradoksale kur të njëjtët janë në proces të mësimdhënës edhe pse MASH i ka vlerësuar se nuk dinë të notojnë. Konkretisht, mësimdhënësit që sipas vlerësimit ekstern të vitit shkollor 2013/2014, nuk dinin të notojnë nxënësit, përveç se kanë nis me paga me 20 për qind më pak, rrezikohen të dënohen edhe pas vlerësimit ekstern 2014/2015, sepse nuk është bërë asgjë deri tani për ti mësuar të njëjtit se si të vlerësojnë objektivisht. Në MASH nuk kthyen përgjigje se çfarë ndodhë me procesin e trajnimit apo aftësimit të mësimdhënësve për vlerësim objektiv, ndërsa në Byronë për Zhvillim të Arsimit konfirmojnë se ky proces nuk ka filluar. Gjysma e dytë e nëntorit shihet si periudha më e afërt e fillimit të trajnimeve në fjalë. “Trajnimet do të fillojnë afërsisht nga gjysma e nëntorit”, deklaron zëvendësdrejtoresha në BZHA, Ajshe Selmani, ndërsa pohon se janë duke u përpiluar listat përkatëse. Lidhur me numrin atyre që do ti nënshtrohen trajnimit, Selmani tregon se nuk ka ende një numër të saktë. “Numri i saktë i mësimdhënësve nuk është definuar ende, pasi punohet në përpilimin e listave”, shprehet zëvendësdrejtoresha e BZHA-së. Shkollat ndërkaq, presin të marrin përgjigje për ankesat që kanë depozituar në MASH në emër të mësimdhënësve. Jo të gjithë kanë bërë ankesa, pasi shumë prej tyre u përtojnë proceduara administrative, ashtu sikurse edhe shkollat për të shmangur procedurat e gjata të lajmërimeve dhe ç’lajmërimeve në punë të mësimdhënësve bëjnë zëvendësime interne. Për shembull, për një mësimdhënës i cili ka qenë kohë të gjatë në pushim mjekësor, shkollat kanë bërë zëvendësimin e tij me arsimtar tjetër brenda shkollës, për të shkurtuar mundimet e administratës edhe ashtu të stërngarkuar të shkollave. Prandaj, në listat e vlerësimit ekstern të MASH-it figuron emri i arsimtarit të parë dhe jo atij që ka bërë zëvendësimin. Në rastin konkret, gabimet e këtij të fundit, duhet ti paguajë arsimtari i parë edhe atë me mesatarisht nga 3800 denarë në muaj për një vit të tërë shkollore. Arsimtari i dëmtuar financiarisht nuk ka se si të dëshmojë se dënimi është i padrejtë, pasi në letër qëndron emri i tij dhe jo i atij që e ka zëvendësuar.
Dënohen edhe doajenët e arsimit
E vetmja gjë që mund të arrihet është shtimi i mërive dhe hatërmbetjeve mes kolegëve nëpër shkolla, apo edhe shtimi dozave të nënçmimit për të gjithë ata që MASH i ka nxjerr në listat e arsimtareve që sipas vlerësimit ekstern - nuk dinë të notojnë. Për ironi, në këto lista gjen edhe doajenë të arsimit, arsimtarë dhe profesorë të cilët kanë gëzuar prestigj nga shoqëria për shkak të seriozitetit dhe përkushtimit në punë. Mirëpo, ja që MASH vendosi një mekanizëm që pretendon kontrollin e cilësisë së notimit dhe na doli se ata mësimdhënës nuk ditkan të notojnë objektivisht nxënësit. Por sa janë reale rezultatet e vlerësimit ekstren është një çështje për të cilën MASH nuk ka mundur të jap asnjëherë një përgjigje as në kohën e ish-ministrave Pançe Kralev e Spiro Ristovskit dhe as tani kur ministër është Abdilaqim Ademi. Janë edhe shumë çështje tjera të hapura për diskutim. Njëra prej tyre ka të bëjë me atë se kush do ti aftësojë këta mësimdhënës të notojnë objektivisht nxënësit dhe padyshim që mbetet e hapur edhe dilema si ka mundësi që ata të mësojnë për katër orë ose javë (sa mund të zgjatë trajnimi) atë që nuk e kanë mësuar gjatë katër viteve të studimit dhe përvojës në punë.
/LAURA PAPRANIKU/









