Demolohet lokali ‘Damar’ në Shkup, aty festohej përvjetori i LGBT-së (FOTO)
Festa e përvjetorit të Qendrës LGBT mbrëmë në një nga lokalet në Çarshinë e Vjetër të Shkupit është shndërruar në një kaos të vërtetë, pasi një grup personash të maskuar kanë sulmuar mysafirët si dhe duke demoluar lokalin.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmë rreth orës 20 e 45, në lokalin “Damar” në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, në ato çaste aty komuniteti LGBT festonte përvjetorin e themelimit të Qendrës LGBT - Shkup.
Sipas raportimeve të para, mësohet se një grup personash me maska në kokë kanë hyrë në lokal dhe kanë nisur të hedhin shishe xhami drejt mysafirëve.
Nga sulmi dëmtime ka marrë një vajzë, ndërsa raportohet edhe për dëme të mëdha materiale.
Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe po punon për ndriçimin e rastit.














