Selmani: Në 12 vjet politikë, i vetmi që e fitova BDI-në
|
Thotë se për momentin nuk merr pjesë në asnjë prej kombinimeve për formimin e një subjekti të ri politik. Por, Imer Selmani është i bindur se një parti e re shqiptare dhe përgjithësisht opozita, mund të jetë e suksesshme vetëm nëse i bashkojnë forcat.
“Nuk kam biseduar dhe as që e kam ndërmend të bisedoj, sepse nuk kam vendosur që të aktivizohem politikisht. Kur do të vendosi, atëherë do të mendoj. Por, është fakt se jo vetën Sela do të krijojë një parti politike. Do të ketë edhe një subjekt që do të quhet ‘Besa’, në të cilën janë të përfshirë persona që nuk kanë qenë të përfshirë për politikë, por në veprimtari shoqërore”, ka thënë Selmani, në një bisedë për “Zhurnal”, e cila e plotë do të publikohet nesër.
Selmani thekson nevojën që partia e re do të ishte e shëndetshme për të ngritur cilësinë e garës, sepse për 12 vjet me radhë ka pasur një fitues dhe një humbës.
“Nëse shihet logjika fitues dhe humbës, unë në këto 12 vjet isha i vetmi që fitova edhe ndaj kandidatit të BDI-së edhe ndaj atij të PDSH-së, në vitin 2009. Tjerat gara gjithherë i ka fituar BDI-ja. Do të ishte e mirë edhe për shëndetin e brendshëm të BDI-së dhe për të gjithë shqiptarët që të kishin një ofertë më gjithëpërfshirëse”.
Duke komentuar përplasjet në PDSH, Selmani thekson se një person, sado i fuqishëm, e ka zenitin e vet dhe lodhjen ose plakjen politike.
“Në PDSH është duke ndodhur vazhdimisht lodhje dhe plakje politike e kryetarit Menduh Thaçi. Ndërsa, z. Sela tentoi me shumë fuqi dhe vullnet për të bërë ndryshime në PDSH por aq sa shohim nuk ia arriti që kjo të rezultojë me ndryshime në Kongres”. /zhurnal/















