Shkëndija: Respekt për Metalurgun, por pikët duhet të mbeten në Tetovë
|
Mesjava sjell ndeshje të xhiros së 13-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë dhe në këtë drejtim Shkëndija do të përballet në teren vendas me Metalurgun e Shkupit. Ekipi ‘kuqezi’ pret këtë takim në një moment pozitiv, pas fitores së fundjavës në transfertën me Horizontin. Tani kërkohet vazhdimësi e fitoreve dhe futbollistët e stafi teknik janë të determinuar për një tre pikësh të ri. Mirëpo larg asaj se pikët llogariten paraprakisht, apo nënçmohet kundërshtari! Përkundrazi, të gjithë në taborin e Shkëndijës respektojnë maksimalisht ekipin shkupjan dhe janë të vetëdishëm se kombinimi i përvojës dhe të rrinjëve që ka komponuar kjo skuadër është formulë premtuese dhe për këtë arsye ky rival shihet me kujdes. Duke respektuar Metalurgun, stafi teknik kërkon maksimumin e të gjithë futbollistëve që do gjenden në teren në tentimin për të mbajtur tre pikët në Tetovë.
“Pas asaj krize që patëm në rezultate në dy ndeshjet e fundit, besoj se na erdhi shumë mirë që në ndeshjen me Turnovën morëm tre pikë dhe fituam vetëbesimin përsëri. Besoj se ato tre pikë do të kenë vlerë nëse korrim fitore tani me Metalurgun. Të gjithë jemi të përgatitur maksimalisht për të dhënë maksimumin dhe me ndihmën e publikut besoj se seria e fitoreve do të vazhdojë“, deklaroi mesfushori Muhamed Useini, i cili në mungesë të Artim Pollozhanit, sërisht do të mbajë shiritin e kapitenit.
Metalurgu është në pozitën e 4 në renditje me 18-të pikë, tre më pak se Shkëndija në vendin e tretë. Fitorja përveç vazhdimit të luftës për pozitat e kreut, do të hidhte Metalurgun në 6-të pikë vonesë dhe ky do ishte një lehtësim në aspekt të ndjekjes që bëjnë rivalët pas shpinës së Shkëndijës.
Trajneri Kozniku për këtë ndeshje nuk mund të llogarisë në Armend Alimin dhe Artim Pollozhanin, të dy të lënduar. Alimi tani më ka nisur me seanca të lehta stërvitore, mirëpo nuk rrezikon në këtë përballje dhe pritet të kthehet në ndeshjen e fundjavës me Renovën. E njëjta vlen edhe për Pollozhanin, ndërsa dihet prej më herët se të lënduar dhe jashta kombinimit janë Egzon Bejtullai dhe Jasir Selmani. Në ekip kthehet Ivan Mitrov që vuajti pezullimin në dy ndeshje dhe tani është në kombinim për këtë takim. Trajneri Kozniku për ndeshjen me Metalurgun në mesin e 18-të futbollistëve ka grumbulluar të rrinjtë Enur Totre dhe Shpend Asani, dy talentë të mëdhenj dhe shpresa të ‘kuqezinjve’. Takimi Shkëndija-Metalurgu luhet të mërkuën në stadiumin e qytetit në Tetovë, me fillim në orën 13:30.
Lista e 18-të futbollistëve të grumbulluar për takimin me Metalurgun:
Marko Jovanovski, Hadis Velii, Martin Kavdanski, Sedat Berisha, Yordan Miliev, Jani Urdinov, Xhelil Abdulla, Ivan Mitrov, Shpend Asani, Muhamed Useini, Zajko Zeba, Enur Totre, Besmir Bojku, Stenio Zhunior, Demir Imeri, Mevlan Murati, Hristijan Kirovski dhe Bojan Vruçina.















