Jashari: Deputetët e PDSH-së nuk njohin ligjet që vetë i kanë votuar
|
Ministri i Drejtësisë Adnan Jashari hedh poshtë akuzat e PDSH-së se po tenton të njollosë qëllimshëm partinë e Thaçit, duke e akuzuar për fshehjen e donacioneve për fushatë.
Jashari, siç citon Alsat-M, tha se mbikëqyrja e veprimtarisë financiare të partive është punë e revizionit shtetëror, ndërsa Ministria e Drejtësisë është vetëm ekzekutuese e ligjit.
Ministri tha se shpërndarja e parave për votat e fituara nga PDSH, është ndërprerë përkohësisht dhe i është dhënë kohë partisë opozitare që të mënjanojë parregullsitë.
“Raporti im me këto parti ka qenë shumi sinqertë, i drejtë, shumë real por më duket se kolegët deputetë të kësaj partie ose nuk kanë qenë shumë të informuar, ose nuk i kanë lexuar ligjet që ata vetë i kanë miratuar apo i kanë ndryshuar në vitin 2011, 2012, 2013. Ministria e Drejtësisë nuk bën mbikëqyrje por bën punë formale. Mbikëqyrjen mbi punën e partive politike e bën Enti Shtetëror për Revizion….Ministria e Drejtësisë në bazë të kësaj informate ka marrë vendim për ndërprerjen e përkohshme të ndarjes së mjeteve për financimin e partive politike. E njëjta informatë iu është dorëzuar edhe partive politike që ata të mund të ndërmarrin masa për të evituar të metat e tyre”, tha Jashari.










