USHT, vazhdojnë kërcënimet ndaj studentëve - tetova1.com

USHT, vazhdojnë kërcënimet ndaj studentëve


usht1
Kategoria: Arsim / TOP LAJM

Postuar më: Mër, Nën 5, 2014





Vazhdojnë kërcënimet ndaj studentëve të USHT-së të cilët kanë marrë iniciativë për ndryshime në Parlamentit Studentor. Rektorati sot ka marrë në pyetje të gjithë studentët të cilët kërkojnë ndryshime në Parlamentin Studentor, madje duke i kërcënuar ata me largim nga Universiteti.

“Dua të tregoj se të gjithë aktivistët i kanë marrë në pyetje një nga një, për t’i frikësuar. Mirëpo ne e kemi mbështetjen e studentëve që duan ndryshim dhe ne do të vazhdojmë. Ne nuk jemi kundër Universitetin, por jemi për ndryshime në përbërjen e Parlamentit Studentorë, i cili duhet të zgjidhet nga studentët”, u shpreh Denis Raufi, OSP.

Përderisa drejtuesit e USHT-së kanë kohë të merren me kërcënimin e studentëve, nga ana tjetër nuk kanë kohë të flasin para kamerave për zhvillimet në këtë Universitet. Përkundër tentimit tonë për të mësuar nëse dy studentëve u janë kthyer indekset e konfiskuara, Sekretari i USHT-së Adem Beadini zgjedh heshtjen, nuk pranon të flasë . Dhe pas plot dy muaj insistim për të kontaktuar kryetarin e Parlamentit Studentor Shaban Arsllanin, ky fundit mori guximin dhe doli në konferencë për media. Por jo për të mbrojtur studentët që po kërcënohen, por vetëm për të lexuar një komunikatë, nëpërmjet së cilës edhe ky i fundit i akuzon kolegët e tij studentë.

“Çdo formë dhe organizim tjetër studentor, i ndikuar nga jashtë institucionit, për interesa të qarqeve të ndryshme politike, klanore a mediatike, që nuk ua duan të mirën studentëve dhe Universitetit Shtetëror të Tetovës, dhe të mbështetura nga trumbetimet e çakorduara të ndonjë mediumi të caktuar, bien ndesh me funksionimin dhe etikën e Parlamentit Studentor”, tha Shaban Arsllani, Kryetarë i Parlamentit Studentor.

Në këtë mënyrë Arsllani u largua duke iu shmangur pyetjeve të gazetarëve. Studentët tashmë disa muaj kanë shfaqur pakënaqësitë e tyre lidhur me kushtëzimet për taksën 100 denarëshe dhe mbylljen e programeve të disperzuara në Shkup. Adrian Kerimi

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net