Ferhan Hasani ende s’është i gatshëm të luaj për Maqedoninë
|
Kaluan pothuajse dy muaj e gjysmë nga momenti kur mesfushori, Ferhan Hasani përjetoi një lëndim në shpinë, gjatë një stërvitjeje në Valencia përpara ndeshjes eliminatore me Kombëtaren e Spanjës e vlefshme për Euro 2016.
Nga 10 shtatori e këndej shqiptari nga Tetova nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje zyrtare për Brondbyn. Kjo ka bërë që ai të mos grumbullohet as për ndeshjen e 15 nëntorit kundër Sllovakisë në Shkup.
Hasani për “Lajm” thotë se ka filluar me stërvitjet e lehta individuale.
“Për momentin s’mund të luaj për Maqedoninë e as për Brondbyn, pasi nuk jam 100 % i gatshëm. Po ushtroj individualisht, pra jam jashtë grupit të skuadrës për shkak të problemeve që kam me shpinën. Për momentin ndihem mirë, dita-ditës kam përmirësime. Do të shohim në të ardhmen si do të rrjedhin punët. Ka gjasa që të kthehem, por edhe ta përfundoj sezonin e sivjetmë pa loja. Sezoni ka edhe një muaj kështu që nuk dëshiroj të rrezikoj shumë”, tregon Hasani.
Ai thekson se herë pas here ka dhimbje.
“Po, nganjëherë kam dhimbje të cilat po e ngadalësojnë planin që të kthehem të ushtrojë me ekipin 100 përqind. Mirëpo, besoj se jemi në rrugën e duhur për tu rikthyer në fushën e lojës”, është optimist Hasani.
Ai gjatë këtij sezoni ka luajtur vetëm 5 ndeshje për Brondbyn, katër në kampionatin danez dhe një në Ligën e Europës./lajm/










