Analistët: Vetëm të bashkuar në një Front Opozitar mund të rrezikohen BDI-PDSH
|
Daljen në skenë të partive të reja shqiptare e kanë komentuar edhe analistët politik në vend. Sipas tyre, subjektet e reja politike duhet të dalin me oferta të qarta për zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve dhe se vetëm të bashkuar në një Front Opozitar mund të rrezikojnë partitë BDI dhe PDSH. Më tej analistët janë të mendimit se edhe elektorati shqiptar dëshiron ndryshime, meqë qytetarët shqiptarë janë në kërkim të liderit të ri dhe formacionit të ri politik.
Botuesi i Gazetës Lajm, Fejzi Hajdari vlerëson se hapësirës politike shqiptare në Maqedoni, pas debaklit e dështimit katastrofik të faktorit politik shqiptarë ekzistues (BDI-PDSH), sidomos BDI-së me 3 mandatet e saja, i nevojitet një “infuzion politik”.
Mirëpo, siç thotë ai, paraqitja e të gjitha partive të reja, në bazë të informacioneve që kemi dhe veprimeve të deritanishme, nuk po lënë përshtypjen se kanë kapacitet për rrezikimin eventual të BDI-PDSH.
“Duke qenë kështu, partitë e reja përveç profilit të mirëfilltë që duhet të ndërtojnë, kuptohet me përcaktime dhe objektiva (oferta të reja për zgjidhjen e problemeve shqiptare) të qarta programore, ato duhet të krijojnë një front unik kundrejt BDI-së dhe PDSH-së, të cilat tanimë një kohë të gjatë janë etabluar në skenën e këtushme politike. Vetëm të bashkuara në një Front Opozitar, mund të rrezikojnë partitë BDI-PDSH, të cilat janë dëshmuar se dinë ta luajnë lojën mirë, kur rrezikohen nga partitë e reja”, deklaroi për Almakos, Fejzi Hajdari, botues i gazetës Lajm.
Ai më tej thekson se BDI-PDSH kanë infrastrukturë të kahmotshme partiake në terren dhe rrjedhimisht për t’i mposhtur, nevojitet një energji dhe aktivitet shumë intenziv nga “Fronti” eventual opozitar shqiptar.
“Një gjë të tillë, unë akoma nuk e kam vërejtur nga partitë opozitare shqiptare. Strategjia e vetëkënaqjes së partive shqiptare me anë të publikimit të kumtesave partiake apo dhënien e ndonjë deklarate nga kancelaritë partiake, nuk mjafton absolutisht (për të mos thënë që në fillim është e dështuar si strategji), por nevojitet aktivitet i madh me popullatën në terren”, konsideron Fejzi Hajdari.
Ndërkohë, profesori universitar Arsim Sinani thotë se tashmë elektorati shqiptar dëshiron ndryshime në stilin e qeverisjes. Ai thotë se shqiptarët janë në kërkim të ekipit të ri, liderit të ri dhe formacionit të ri politik në Maqedoni.
“Fillimisht më duhet të them së pritjet e mia kanë qëne sipas asaj që kam parë, dëgjuar dhe komunikuar me opinionin se elektorati don ndryshime në stilin e qeverisjes, në kualitetin e kuadrove, në vizionin për të qenë të saktë në punën që e bëjnë, të moralshëm, me kredibilitet, të hapur dhe me agjendë e strategji kah duhet të lëvizet. E kam thënë se do të ketë lëvizje të re politike pasiqë shqiptarët e Maqedonisë janë në kërkim të ekipit të ri, të liderit të ri, të formacionit të ri”, thotë për Almakos, profesori universitar Arsim Sinani.
Sipas tij, pushteti aktual kërkon të mbijetojë sa më gjatë që të jetë e mundur duke i stisur një pjesë të partive, një pjesë mendojnë se është moment etj. “Por, e them pa konsolidim të opozitës shqiptare në një front të përbashkët partitë aktuale BDI dhe PDSH do ti ruajnë pozitat e tyre. Ndërsa shqiptarët e Maqedonisë mbeten në kërkim të lidershipit të ri”, thekoi Arsim Sinani.
Ndryshe, pas lëvizjes për reforma në PDSH të Ziadin Selës dhe Lëvizjes BESA, tashmë aktivizimin e tyre e kanë paralajmëruar edhe RDK-ja, PPD-ja dhe BDK-ja e Hysni Shaqirit, ndërsa është paralajmëruar edhe formimi i partisë Balli Kombëtar. /Bekim Buçi, Almakos /















