Rruga Bllagoja Toska është bërë liqen
|
Ky është rezultati i asfaltimit të rrugës “Bllagoja Toska” në Tetovë, e cila u rregullua muaj më parë nga Komuna. Banorët e kësaj lagjeje shprehen të revoltuar se rregullimi i rrugës është bërë sa për sy e faqe. Ata thonë se sa herë që bie shi, këtu formohen pellgje e liqene artificial, që përfundon nëpër bodrumet e shtëpive të tyre. Një rast i tillë është edhe shtëpia e Liman Osmanit, i cili thotë se megjithë faktit se ka bërë vet gropë për grumbullimin e ujit, uji sërish depërton dhe përmbyt oborrin dhe bodrumin.
Ky ujë krejt ka hy në jam dhe e ka mbushur plot, 12 metra të thellë e kam ama kot sërish uji e mbush tokë me rërë është kjo. Badihava komunës i kërkojmë, Teuta karrigen e ka butë aty nuk ka problem me ujin ajo. Gjithve iu hyn në shpi këtij po edhe këtij tjetri shikoni, e ka kanalizimin ama për kanalizimi i ka hy në bodrum. E rregulluan rrugën gjoja se ama sërish s`ndalet uji”, u shpreh Liman Osmani, Banor i lagjes “Bllagoja Toska”.
Banorët e lagjes “Bllagoja Toska” kërkojnë sërish ndihmën e komunës, që drejtuesit të vijnë ta shohim situatën më mirë, dhe ta rregullojnë atë.
“Si çdo herë ka penguar dhe pengon si verës si dimrit. Dëmet dihen çfarë dëmi mundë të bëj uji. Mendoj që ndonjëherë do përmirësohet, presim edhe ne”.
“E ka bë komuna por le të vij komuna të sheh çka ka bërë dhe si e ka bërë, kollaj prej karrige atje të flasësh, secila parti që ka kalua asnjërës nuk i ka interesuar për rrugën. Çdo herë vijnë i mbushin ç`ato gropat më kryesore dhe ikin. Kanalizim ka por çfarë kanalizimi ka, incizojeni rrugën për poshtë do shihni si janë shtëpitë, si jetojnë njerëzit shqiptarë në mes të Tetovës”.
Rruga “Bllagoja Toska” ka vite që kërkohet nga banorët e kësaj lagjeje, por gjithnjë has në vesh të shurdhër, ose ndodh kështu, arnohen disa gropa por problemi nuk zgjidhet përfundimisht. Kjo rrugë është tejet e frekuentuar, për shkak se lidh një pjesë të qytetit me Universitetin Shtetëror të Tetovës, si dhe shkollat fillore dhe të mesme të Tetovës. Bashkim Sulejmani





