USHT, mbledhje komemorative për prof. Rahim Imeri - tetova1.com

USHT, mbledhje komemorative për prof. Rahim Imeri


rahim imeri
Kategoria: Lajme

Postuar më: Tue, Dec 2, 2014





Pas ndarjes nga jeta të Prof. dr. Rahim Imerit, sot në Universitetin Shtetëror të Tetovës me një mbledhje komemorative u përkujtua jeta dhe vepra e tij. Në këtë mbledhje komemorative të pranishëm ishin Rektori i USHT-së, Prof. dr. Vullnet Ameti, familjarë, miq dhe kolegë të Prof. dr. Rahim Imerit.

Dekani i Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore të USHT-së, Prof. dr. Fauzi Skenderi tha Prof. dr. Rahim Imeri ishte një njeri me ideale të larta.
“Profesori ynë i dashur Rahim Imeri, që nga sot ju bashkohet simboleve dhe pishtarëve të krenarisë sonë, që u bënë legjendë për së gjalli duke sakrifikuar nga vetja fuqitë fizike dhe mendore për ta ruajtur dhe përparuar substancën tonë kombëtare nga të gjitha ligësitë dhe furtunat që na i solli fundi i shekullit të kaluar”, tha Prof. dr. Fauzi Skenderi.

Për jetën dhe veprën e Prof. dr. Rahim Imerit foli edhe Mr. Irfan Amzai, Shefi i Departamentit të Gjeografisë të USHT. ,,Profesor Rahim Imeri rrjedh nga një familje me tradita arsimore dhe në personalitetin e tij ishin virtytet më të larta njerëzore. U lind në fshatin Rakovec të Tetovës, më 12 dhjetor të vitit 1945.

Arsimin fillor e kreu në vendlindje, ndërsa në vitet 1959-1963 e kreu Shkollën Normale ,,Zef Lush Marku”, në Shkup, për mësues. Në vitet 1965-67, në Universitetin i Shkupit e mbaroi Akademinë Pedagogjike, drejtimi i Edukimit Figurativ, mësimdhënës i Edukatës Figurative. Në vitet 1969-1973, në Universitetin e Prishtinës, Departamentin e Gjeografisë të Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore, i kreu studimet dhe morri titullin Profesor i Gjeografisë. Në vitet 1975-1981, në Universitetin e Zagrebit, Fakultetin e Shkencave Matematike- Natyrore, Instituti i Gjeografisë, e morri titullin Magjistër i shkencave të gjeografisë, me temë të punimit të magjistraturës: ,,Valorizimi Turistik i Maqedonisë Perëndimore”, tha Mr. sc. Irfan Amzai.

Në emër të familjes së profesorit të ndjerë, Prof. dr. Rahim Imeri, të pranishmëve me fjalë rasti ju drejtua djali i profesor Rahimit, Argjend Imeri.

“I dashur baba, ti qëndrove krenar dhe dinjitoz, nuk pate nevojë dhe nuk deshe që askush të të mëshirojë. Deshe që ne, familja, mbesat dhe nipërit, miqtë, kolegët dhe dashamirët, të të mbajmë mend ashtu siç ishe edhe më parë, i fortë, i çiltër në mendime, përkrahës dhe i dashur për të gjithë. Sot, këtu jemi prezent për të ta dhënë përshëndetjen e fundit të gjithë ne, ne në të cilët jeta dhe vepra e jote ka lënë gjurmë të thella, por ti do të vazhdosh të jetosh në zemrat dhe mendjet tona, dhe jam i bindur që veprimtaria jote do të mbetet një fanar që do të na udhëheqë gjithmonë në të ardhmen, në rrugën që ti na e trasove”, tha Argjend Imeri.

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net