Stemë monoetnike për shtetin dy etnik
|
Xhelal Zejneli
Me stemën nënkuptohet figura (objekti ose fotografia) simbolike me te cilën shprehet në mënyrë simbolike një ide apo një mendim. Duke pasur karakter të tillë, stema shërben si një shenjë identifikimi të institucioneve të caktuara, të partive politike, të organizatave ndërkombëtare etj. Stema kanë edhe shtetet. Emblema shtetërore janë stema dhe flamuri. Këta simbolizojnë sovranitetin e shtetit dhe individualitetin e tij në marrëdhëniet ndërkombëtare. Stema shtetërore rëndom përbëhet prej elementeve të cilat shprehin dhe karakterizojnë lindjen apo zhvillimin historik të një shteti, rendin politiko-shoqëror të tij ose ndonjë veçori tjetër të shtetit, përkatësisht të popullit. Stema dhe flamuri shpeshherë janë shprehje e traditës. Te shtetet bashkëkohore, këto emblema kryesisht rregullohen me kushtetutë. Në shtetet federale stema paraqet simbolikisht karakterin politiko-shoqëror të shtetit dhe bashkimin e popujve dhe të njësive politiko-territoriale të tij.
* * *
Projektligji për stemën shtetërore të Maqedonisë, i propozuar dhe i miratuar nga kabineti qeveritar, nuk përmban asnjë shenjë apo element të bashkësisë etnike shqiptare. Ndaj shtrohet pyetja: Si është e mundur që një projektligj i tillë të jetë votuar dhe të jetë mbështetur nga përfaqësuesit shqiptarë të qeverisë?! Si wshtw e mundur të mos jetë refuzuar prej tyre?! Kjo tregon se ata:
- nuk kanë njohuri se ç‘do të thotë stemë shtetërore;
- nuk kanë njohuri për rëndësinë e stemës shtetërore në shtetet dyetnike siç është Maqedonia;
- nuk janë të interesuar të angazhohen rreth çështjes së sipërthënë;
- nuk përfillen në mbledhjet e qeverisë;
- nuk janë të barabartë me ministrat maqedonas të kabinetit qeveritar;
- nuk janë të informuar për reperkusionet e miratimit të një ligji të tillë;
- nuk e respektojnë Marrëveshjen e Ohrit;
- janë pengje të interesave meskine vetanake;
- janë nën hipotekë.
Miratimi i projektligjit të sipërthënë edhe nga ministrat shqiptarë dëshmon se:
- në mbledhjet e qeverisë nuk ka dialog tw njwmendwt;
- në mbledhjet e qeverisë mungon transparenca më elementare;
- përfaqësuesit shqiptarë në qeveri i janë nënshtruar disiplinimit;
- qeveria funksionon me metoda autoritare dhe me metoda të sofistikuara despotike;
- në kabinetin qeveritar mbizotëron autoritarizmi dhe arbitrarizmi;
- përfaqësuesve shqiptarë u mungon guximi;
- përfaqësuesit shqiptarë në qeveri nuk janë të pozicionuar si duhet, për të mos thënë janë të depozicionuar.
Me një fjalë, përfaqësuesit shqiptarë në qeveri, ose s’dinë, ose s’duan, ose s’mundin, ose s’kanë guxim.
Kur është fjala për simbolet shtetërore, ku bëjnë pjesë stema dhe flamuri, duhet harruar çfarëdo interesi personal, koniunktural apo partiak. Simbolet e shtetit, siç janë stema dhe flamuri, nuk janë çështje individësh, grupesh, koniunkturash apo partish. Ato janë çështje me interes të përgjithshëm, janë çështje kombëtare. Simbolet e shtetit – stema dhe flamuri nuk janë çështje të një nomenklature, konjukture apo establishmenti, për interesa momentalë, por janë çështje me dimension historik. Simbolet shtetërore – stema dhe flamuri, nuk janë çështje materiale, financiare apo infrastrukturore. Ato janë çështje me karakter kombëtar dhe me përmasë politike. Çështjet me karakter kombëtar dhe me përmasë politike, nuk këmbehen me vlera materiale, financiare apo infrastrukturore.
Simbolet e shtetit – stema dhe flamuri, i vënë përfaqësuesit shqiptarë të qeverisë para përgjegjësisë historike. Lidhur me stemën shtetërore që propozohet, partia shqiptare në pushtet d.m.th. BDI-ja, mban përgjegjësi historike para:
- luftës së 2001-shit;
- ish-ushtarëve të UÇK-së;
- dëshmorëve të luftës së 2001-shit;
- invalidëve të luftës së 2001-shit;
- Marrëveshjes së Ohrit;
- popullit shqiptar në Maqedoni;
- kauzës kombëtare shqiptare;
- historisë.
Qëllimi i VMRO-së është të devalvojë, d.m.th. të zhvlerësojë luftën e 2001-shit dhe Marrëveshjen e Ohrit. VMRO-ja synon të krijojë rrethana të tilla që shqiptari i rëndomtë të pyesë: “Vallë, për këtë u bë lufta?!” Ç‘ndryshime na solli lufta?!, Përse u bë lufta?! VMRO-ja nacionaliste synon të krijojë rrethana të tilla që shqiptari i zakonshëm të thotë: “Statusi politik i shqiptarëve, pas 2001-shit, a dallohet nga statusi politik i tyre, para 2001-shit?!“ “Statusi politik i shqiptarëve sot është njësoj si në periudhën para Marrëveshjes së Ohrit!!”
VMRO-ja ka një synim akoma më djallëzor – të krijojë rrethana që shqiptarët të thonë: “Sot jemi njësoj si në komunizëm!!” ose “Sot jemi më zi se në komuzimë”. Luftwn e 2001-shit, VMRO-ja e ka kompleks tw pwrhershwm. Faktori politik shqiptar nuk duhet të lejojë një situatë të tillë.
Në sistemin monist ka pasur diktaturë, kështu qw përfaqësuesit shqiptarë të cilwt kanë qenë të përfshirë në institucionet e sistemit, s’kanë mundur të çelin gojën dhe të thonë një fjalë të vetme në dobi të popullit tw vet. Por sot kemi pluralizëm politik. Në një sistem pluralist ekziston liria dhe e drejta kushtetuese për ta kundërshtuar një vendim arbitrar, të padrejtë dhe të paqëndrueshëm. Po qe se faktori politik shqiptar nuk e shfrytëzon këtë të drejtë demokratike që ia mundëson vetë natyra e sistemit pluralist, atëherë shtrohet pyetja: Përse?! Dhe vetvetiu rezulton përgjigjja: ose s’di, ose s’do, ose s’mund, ose nuk guxon.
Në shtetet dyetnike si ç‘është Maqedonia, për çështjet me dimension politik duhet të arrihet marrëveshje politike ndëretnike. Për simbolet shtetërore siç janë stema dhe flamuri, nuk vendoset çdo ditë, apo kur t’i kujtohet ndokujt. Kur për to vendoset një herë, ato më nuk ndryshojnë lehtë. Për ndryshimin apo për ndërrimin e tyre, duhet pritur dekada dhe shekuj. Simbolet shtetërore janë çështje brezash dhe momentesh historike.
Propozimi i një steme shtetërore të këtillë është në kundërshti me përbërjen dyetnike të Maqedonisë. Faktori politik shqiptar në Maqedoni duhet të marrë shembullin e stemave të shteteve dyetnike apo tre-etnike siç janë Belgjika - e banuar nga valonët dhe flamanët apo Zvicra - e banuar nga gjermanët, francezët, italianët dhe retoromanët.
VMRO-ja synon të krijojë një Maqedoni unitariste, monoetnike dhe centraliste. Kjo ideologji e saj nacionaliste është retrograde dhe anakronike. Shekull i kombeve ka qenë shekulli XIX. Romantizmi nacionalist i ideologëve të VMRO-së është inkompatibil për shekullin XXI dhe në kundërshti të plotë me procesin e integrimit në familjen euro-atlantike.
Për t’u bërë ballë vendimeve njënacionale të Gruevskit, ministrat shqiptarë kanë dy mënyra:
- e para, të heqin dorë nga privilegjet personale;
- e dyta, të refuzojnë në mënyrë të prerë politikën antishqiptare të VMRO-së.
Faktori politik shqiptar duhet t’u thotë me vendosmëri edhe qendrave politike ndërkombëtare të vendosjes: Uashingtonit dhe Brukselit,se shqiptarët në Maqedoni janë për paqe dhe stabilitet, por jo në kurriz të shqiptarëve të varfëruar. Po kwtw duhet t’ua përcjellin edhe qendrave politike shqiptare tw vendosjes – Tiranws dhe Prishtinws.
Stema shtetërore e propozuar nga qeveria e Shkupit nuk përmban asnjë element shqiptar. As nga historia e popullit shqiptar, as nga kultura dhe tradita e tij. Kësaj steme të propozuar nga qeveria, i del zot Bullgaria. Historianët sllavo-maqedonas ndërkaq, janë të ndarë: disa sish thonë se është bullgare, ca të tjerë thonë se është maqedonase. Pra, askush nuk thotë se ka, qoftë edhe një fije elementi shqiptar. A nuk tregon kjo se ajo fare s’ka të bëjë me shqiptarët.
BDI-ja, edhe pse është parti e bashkëqeverisjes me VMRO-në, ajo natyrshëm duhet të jetë edhe oponente e saj, për arsye se:
- VMRO-ja është parti ultranacionaliste;
- ideologjia politike e VMRO-së synon një Maqedoni unitariste, monoetnike dhe centraliste;
- sipas VMRO-së, shqiptarët në Maqedoni nuk janë veçse minoritet.
- BDI-ja, edhe pse pjesë e bashkëqeverisjes, në radhë të parë përfaqëson bashkësinë etnike shqiptare;
- me një parti nacionaliste si VMRO-ja, faktori politik shqiptar në çdo çast duhet të jetë vigjilente, d.m.th. në krye të përgjegjësisë historike.
Në rastin e stemës shtetërore, BDI-ja nuk përgjigjet para elektoratit të vet, por para popullit shqiptar, para historisë. Elektorati partiak është një çështje që nuk çon shumë peshë. Një parti që është 12 vjet në pushtet, s’e ka vështirë të ketë elektorat. Në këtë kohë papunësie enorme, shpresa e rinisë së papunësuar vetvetiu lidhet me partinë nw pushtet që premton punësime.










