BDI gjatë vitit 2015 do të përqendrojë forcat te zhvillimi i ekonomisë
|
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) pritet të përqendrojë përpjekjet e saj gjatë vitit vijues në thithjen e investimeve të huaja dhe vendase, për të zhvilluar ekonominë dhe hapur sa më shumë vende pune.
Koha e humbur në integrimet euroatlantike, që ka shkaktuar dëm edhe në aspektin ekonomik, do të kompensohet me energjinë dhe forcat e reja në tërheqjen e investimeve dhe uljen e varfërisë.
Në funksion të këtij qëllimi, duket se kanë qenë edhe vizitat e fundvitit të ministrave shqiptarë në komunat që drejtohen nga kuadrot e BDI-së.
Sipas zyrtarëve të BDI-së, të cilët citohen nga gazeta “Dnevnik”, ekonomia ka qenë përherë në fokus të kësaj partie, sepse siç shprehen, “në NATO dhe në BE nuk mund të integrohemi me qytetarë të varfër”.
Shefi i Kabinetit të Kryetarit të BDI-së, Artan Grubi, deklaron se gjatë vitit 2015 pritet të realizohen disa projekte infrastrukturore me rëndësi ekonomike.
“Këtë vit duhet të fillojë ndërtimi i akseve Gostivar-Kërçovë dhe Shkup-Bllacë. Po punohet me të madhe në autostradën Kërçovë-Strugë, me një degëzim që do të lidhë autostradën me vendkalimin kufitar Qafëthanë, gjë që do të thotë një lidhje moderne infrastrukturore me Shqipërinë. Në përgatitje e sipër është edhe hekurudha Kërçovë-Shqipëri, për të cilën ka interes nga më shumë palë”, deklaron Grubi.
Ai thotë se do të punohet edhe në zhvillimin e zonave të lira ekonomike në Tetovë, Kërçovë dhe Strugë, gjithnjë me qëllim që të përmirësohet ekonomia në nivel lokal dhe rajonal.















