Sa pak para ndan Qeveria e Maqedonis për folklorin shqiptar
|
Me disa projekte që mbështeten nga komunat, të tjerat nga Ministria e Kulturës, shumë prej shoqërive folklorike dhe ansambleve të këngëve dhe valleve arrijnë të mbijetojnë nga viti në vit falë entuziazmit për të vazhduar aktivitetin, qoftë edhe në mënyrë vullnetare. Por, disa prej tyre, ekzistencën ia atribuojnë fatit të mirë që kanë pasur kur i kanë ndihmuar në raste nevoje. Jo vetëm ato që janë krijuar rishtazi, por edhe të tjerët që funksionojnë prej shumë vitesh kanë një emërues të përbashkët - mungesë fondesh për të mundësuar funksionimin normal të tyre. Pjesëmarrje nëpër festivale jashtë vendit, financimi i manifestimeve të ndryshme gjatë vitit, kjo është në përgjithësi ajo që përfitojnë ansamblet dhe shoqëritë e ndryshme folklorike shqiptare. Në shoqërinë kulturore “Xheladin Zeqiri”, nga Tetova, organizatorë të festivalit folklorik “Sharri Këndon” thonë se “fati” i ka ndihmuar që vitin e kaluar të shënonin 65 vjetorin e themelimit. “Mbijetesa për ne është e vështirë. Kemi pasur fat që na ka ndihmuar komuna, kur ishte rasti i shënimit të përvjetorit, apo edhe miratimi i një projekti nga ana e Ministrisë së Kulturës për këtë vit. Dhe pyes veten se çfarë do të kishte ndodhur nëse nuk do ta kishim as këtë ndihmë. Ne funksionojmë prej më shumë se 65 vjetësh dhe punojmë në formë vullnetare, ose po marr si shembull veten time që për këto 20 vjet jap kontributin tim këtu dhe nuk kam asnjë lloj pagese. Mendoj se ka ardhur koha për ndryshime, që ose të funksionojmë si një ansambël gjysmë profesionist, ose komuna në rast se do të marrë nën ombrellën e saj disa institucione kulturore, edhe ne të jemi pjesë e saj dhe të formojmë një estradë. Një të tillë e ka Peshkopia, e jo më Tetova që është një qytet me dy universitete”, thotë Jetmir Rexhepi. Një tjetër shoqëri kulturore - “Jehona e Malësisë së Sharrit”, për këtë vit i janë miratuar dy projekte dhe pohojnë se përballen me probleme të njëjta. “Të kënaqur s’mund të jemi, por gjithsesi disi mbijetojmë. Ne jemi organizatë joprofitabile dhe është e kuptueshme që të kemi këto vështirësi. Janë një sërë segmentesh që duhet të mbulohen, si shembull po marr kostumet, një komplet kushton nga 800 deri në 1000 euro”, thotë Qefali Avzija. Ndërsa në ansamblin e këngëve dhe valleve “Ibe Palikuqi” nga Shkupi, që vitin e kaluar shënuan 35 vjetorin e themelimit, pohojnë se miratimi i projekteve për një vit, nuk është gjithçka që i nevojitet një ansambli, që edhe pse profesionist nuk e gëzon një status të tillë. “Gjërat do të ndryshonin në rast se ansamblet e këtij lloji të kenë të punësuarit e vet, të funksionojnë ashtu si edhe janë në të vërtetë, si trupa profesioniste. Ndryshimi i statusit të tyre do të ndryshonte shumë segmente të funksionimit të tyre, duke mos e bazuar çdo gjë në kontribute vullnetare”, thonë në “Ibe Palikuqi”. Në programin e sivjetshëm të Ministrisë së Kulturës figurojnë projekte të ndryshme si “Bartja e traditës dhe folklorit brezave të ardhshëm” nga AVKP “Emin Duraku”, nga SHKA “Karshiaka”, dy projekte - Koreografia e re e rajonit të Dibrës dhe Festivali i nëntë ndërkombëtar folklorik “Skupi 2015”. Për shoqërinë “Xheladin Zeqiri” janë mbështetur dy aktivitete - Koncerti i veteranëve dhe Koncerti vjetori, ndërsa për ansamblin “Ibe Palikuqja” dy projekte - “Për ardhmëri më të mirë“ dhe “Mbrëmjet folklorike të Çarshisë”. Ndërsa, “Burimet e Sharrit” mbështeten për Festivalin folklorik “Burimet e Sharrit”. Përveç mbështetjes nga Ministria e Kulturës, disa prej tyre financohen pjesërisht për aktivitetet e tyre edhe nga komunat. /Koha/















