“Sëmundja” e sistemit i përzë mjekët! - tetova1.com

“Sëmundja” e sistemit i përzë mjekët!


mjeket41
Kategoria: Lajme / TOP LAJM

Postuar më: Sat, Jan 17, 2015





Për dy vjet nga Maqedonia janë larguar afër 300 mjekë. Sipas Organizatës regjionale “Healthgruper”, e cila hulumton migrimin e mjekëve në Shqipëri, Maqedoni, Serbi dhe Kosovë, arsyet e largimit të mjekëve ndahen në pesë kategori: ekonomike, sociale, profesionale, politike dhe arsyet sociale personale.

Specialistët më të mirë mjekësorë kanë zgjedhur të punojnë në institucionet private mjekësore. Cila është përgjegjësia e autoriteteve shtetërore për të përmirësuar kushtet, në mënyrë që të parandalohet migrimi i tyre?

Mjekë që janë të angazhuar edhe në politikë kanë deklaruar për portalin SHENJA se zyrtarët përgjegjës shëndetësorë duhet që të përmirësojnë ato pjesë të sistemit që i detyrojnë mjekët që të ikin jashtë.

Mjeku Rexhep Memedi thotë se në vendet evropiane ofrohen kushte më të mira për mjekët, qoftë kushte pune apo edhe për vlerësimin e profesionit.

“Çdo student i mjekësisë në Maqedoni e mëson gjuhën gjermane dhe bën njëlloj përgatitje për të ikur nga vendi. Një ndër arsyet kryesore është mosfunksionimi i sistemit shëndetësor publik. E dyta është vlerësimi i dobët i punës së mjekut dhe degradimi i mjekësisë si profesion. Sot mjeku nuk ndihet i kënaqur, nuk ka kurrfarë satifaksioni nga puna që e bën. Thjesht është bërë një degradim i rëndë i profesionit të mjekut”, thotë Memedi, për portalin SHENJA.

Ai shton se nëse i kemi parasysh edhe të ardhurat, ato janë shumë të ulëta në krahasim me çdo vend në rajon.

“Të ardhurat e mjekëve në Maqedoni janë më të ulëta në Ballkan, të mos flasim në krahasim me vendet evropiane. Po problemi nuk është vetëm te të ardhurat. Ndër problemet e sistemit janë edhe presionet që bëhen nga ndryshimet e shpeshta të sistemit shëndetësor, duke filluar nga pagesat në bazë të punës, ku bëhet një lloj presioni ndaj personelit mjekësor”, thekson Memedi, i cili është anëtar i Këshillit Nismëtar të Lëvizjes BESA.

Ai përmend edhe një fakt tjetër që i shtyn mjekët e rinj të refuzojnë punësimin në institucionet shëndetësore publike.

“Ministria e Shëndetësisë me kontratën që ofron për mjekët e rinj që duan të punësohen, kur është fjala për dhënien e specializimit, në atë kontratë parashihen disa kushte me të cilat shteti apo Ministria e Shëndetësisë mundohet të mbajë peng mjekët. Nëse dikush do të vazhdojë specializimin, pra të punësohet dhe të kryejë specializim shtetëror, duhet të nënshkruajë një kontratë ku thuhet se së paku 15 vjet pas mbarimit të specializimit e ka për obligim të qëndrojë në vendin e punës. Nëse dikush vendos që para kësaj kohe të largohet nga vendi i punës me vetdëshirë, duhet t’i kthejë shtetit mbi 100 mijë euro kompensim”, deklaron Memedi.

Ndërsa, mjeku Arben Taravari ka thënë se ai personalisht për dy vjet ka nënshkruar afër 40 rekomandime për studentë të shkëlqyeshëm që kanë kryer Fakultetin e Mjekësisë dhe duke mos parë perspektiva në këtë shtet e kanë parë të arsyeshme të vazhdojnë në ndonjë shtet tjetër evropian, ku si zakonisht pranohen në mënyrë dinjitoze dhe u mundësohet avancimi adekuat profesional.

Ai shpjegon se shumica e të rinjve janë shumë të arsyeshëm, në fakt këtu e vërejnë politizimin e skajshëm në çdo segment të jetës, madje e vërejnë se sjellja e zyrtarëve në Ministrinë e Shëndetësisë ndaj mjekëve është jokorrekte dhe me disa raste edhe represive.

“Mjekët e rinj e dinë që punësimi i tyre bëhet vetëm me çelës partiak, mandej botëkuptimet e tyre janë shumë më të ndryshme me neve që jemi në moshë mesatare, në fakt ato shohim një pakënaqësi kolektive që tërë shoqërinë e ka vënë në një letargji, kjo është e papranueshme për një person të ri dhe energjik kur është në moshën më produktive. Zgjedhja e vetme në këso rastesh është ikja nga realiteti i hidhur dhe i papërmirësueshëm në një afat kohor të mesëm, kur me fakt do t’u kalojë mosha më e mirë”, ka vlerësuar Taravari, i cili është i angazhuar në Lëvizjen për Reforma në PDSH.

Ai ka kritikuar faktin që Ministria e Shëndetësisë ka hapur konkurse për mjekë nga Serbia. Sipas tij, kjo është e pafalshme duke ditur se ka studentë të mjekësisë të cilët pa problem i pranon Evropa dhe Amerika.

“Ne i dëbojmë ata dhe në vend të tyre i pranojmë mjekë nga regjione, të cilët për arsye të ndryshme nuk mund të gjenden në shtetet e tyre dhe vendosin për një rrogë mesatarisht sa edhe me shtetin e tyre amë, të vijnë në një shtet tjetër”.

Taravari thekson se Ministria e Shëndetësisë patjetër duhet të ulet me ekspertët e vendit dhe me ekspertë të jashtëm dhe të bëjë një strategji 10-20 vjeçare për zhvillimin e sistemit shëndetësor me Maqedoni dhe pas asaj të vendosë për hapat e mëtutjeshme, sepse ka gjasa reale që në një afat prej disa vitesh, sistemi shëndetësor të falimentojë.

“Nëse i analizoni mjekët në të gjitha spitalet publike, ata janë në kufi të dekompenzimit, edhe përpos punës së madhe ata nuk arrijnë dot që t’ju përgjigjen kërkesave të sistemit. “Paramendoni, në disa reparte nëpër disa spitale, mjekët keqpërdoren, me kujdestari të tepërta të cilët paguhen më pak sesa një punëtor fizik me shkollë fillore. Nuk dua të bëj krahasime të këtilla, por nëse bisedoni me shumë mjekë, ata kanë dilema a të vazhdojnë punën që e bëjnë apo të kalojnë diku tjetër ose të nisin ndonjë profesion tjetër”, ka thënë Taravari, për SHENJA.

Megjithatë, ai thotë se Maqedonia ka fakultet të mirë të mjekësisë, konkurrente në regjion. Sipas tij, këtë e dëshmon edhe fakti që jo rastësisht 300 mjekë për dy vjet, pa ndonjë problem janë pranuar në qendrat eminente të Evropës. “Kemi oferta prej qendrave shumë të njohura për t’i dërguar mjekët tanë të rinj. E, gjithë kjo flet që deri diku vlejmë. Por, nëse vazhdon kështu për 20 vjet ne do të mbetemi pa kuadër shumë të mirë. Po që se unë si mjek, nuk krijoj ekip prej 10-20 neurologëve, dukshëm më të mirë sesa unë, nuk kam bërë asgjë në profesionin tim”.

Sipas Taravarit, nëse nuk ndërmerren hapa konkretë për sanimin e këtyre dukurive, nesër “Maqedonia do të jetë një fshat prej 2-milionësh ku njerëzit shërohen në kushte provinciale”.

Abdulla Berisha /SHENJA/

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net