Helmimin e Pollogut mundet ta ndalin vetëm mësuesit me nxënësit e tyre?!
Myftar Zyberi
Edukatori nuk është zyrtar qeverie dhe si i tillë ai sheh vetëm interesat e nxënësve të tij, andaj ai gjithnjë vepron duke mbështet këto interesa, kurse zyrtari i qeverisë nuk mundet që të jetë edukator pasi ai mbi të gjitha në vetëdije të vetë gjithnjë ka qeverinë dhe interesat e saj. Edukator më i mirë është mësuesi, mësuesi i cili me aftësitë e tija intelektuale i mëson dhe edukon fëmijët, edukator është mësuesi, mësuesi i cili duhet të dijë që të dojë profesionin e tij të vështirë dhe të nderuar.
Mësuesia gjithnjë do sakrifica, andaj mësuesi i mirë gjithnjë duhet të përsoset me qëllim që t`i edukoj dhe mësojë drejt nxënësit e tij. Në këtë kohë të tranzicionit çdo gjë ndryshon, ndryshojnë programet mësimore, librat, botuesit, pedagogët, por ekziston një gjë që nuk ndryshon e ajo gjë është mësuesi i mirë, mësuesi i mirë është i pazëvendësueshëm për të të gjitha kohërat. Unë konsideroj se ai i cili di të arsimojë trurin dhe shpirtin e fëmijës vlen më së shumti në këtë botë, më shumë se shkrimtari, artisti, aktori etj. Arsimimi i mirë është ekonomia më rentabël e një shteti. Sa mendje mundet që t`i shndriti, sa karaktere madhore mundet që të ndërtoj mësuesi i mirë, sa mendje mundet të sakatoj, sa zemra të helmoj mësuesi i pandërgjegjshëm? Në botë nuk ekzistojnë nxënës të patalentuar por ekzistojnë vetëm mësues të gabuar! Mësuesit i mbajnë në duart e tyre dizgjinët e ardhmërisë së mirëfilltë botërore!
Mësuesi i mirë është qiri i cili duke dashur t`i ndriçoj të tjerët harxhon veten, ai asnjëherë nuk ndërton karrierë, në shkollë vjen si mësues dhe prej sajë gjithashtu del si mësues (me të njëjtën thirrje), ai është edhe aktor dëgjuesit e të cilit nuk i duartrokasin asnjëherë, ai është edhe skulptor por skulpturat e tij nuk i sheh asnjeri, mësuesi është edhe mjek, mirëpo pacientët e tij rrallëherë i thuan atij faleminderit për të shëruarit e bërë (edhe pse ato nuk duan të shërohen), po atëherë ato ku e gjejnë gjithë atë fuqi për t`u frymëzuar?
Frymëzimin mësuesit e gjejnë në domethënien e madhe që ka puna e tyre, për ata duhet të kujdeset e tërë shoqëria, për mësuesit duhet të kujdeset e tërë nomenklatura e një shteti e jo t`a detyrojmë atë që të protestoj për një pagë ma të madhe.
Mësuesit bashkë me nxënësit e tyre mbase mundet edhe të protestojnë bie fjala të protestojnë për helmin që lëshon Jugohromi, helm i cili pikësëpari helmon shpirtrat dhe shëndetin e këtyre organizmave të njomë të cilët më së shumti në këtë botë duan mësuesin e tyre.
Mësuesi i mirë duhet të jetë si mësuesja e ime Mediha Kuriu ai duhet të luaj,të shoqërohet, t`i dojë, t`i mësoj, t`a rruaj shëndetin e tyre nga helmet e Jugohromit, dhe këtë të fundit (të ruaj shëndetin e nxënësve nga helmet e Jugohromit) mësuesi mundet t`a bëj vetëm nëse ditën e premte në ora 13. 00 bashkë me nxënësit e tij del të protestoj në Sheshin e qytetit të Tetovës Iliria.




