Xhaferi: E gjithë Tetova nesër në shesh, në protestë kundër ndotjes
|
Më shumë se 25 shoqata të ndryshme nga Tetova dhe rrethina kanë paralajmëruar përkrahje të protestës së nesërme kundër ndotjes së ajrit me slogane “Mbrohu ose helmohu – zgjidhje tjetër nuk ka”, të organizuar nga lëvizja qytetare Eco Guerilla. Drejtuesi i lëvizjes Arianit Xhaferi ka porositur të gjithë banorët e Pollogut që nesër, nga orën 13:00 të dalin në mënyrë masive në sheshin “Iliria” në Tetovë për të shprehur pakënaqësinë e tyre, kundër ndotjes së ajrit.
“I ftoj të gjithë qytetarët çfarëdo moshe apo gjinie kanë apo profesionit, pavarësisht bindjeve partiake apo politike fetare e kombëtare, me një fjalë kushdo që merr frymë, duhet të dalë dhe të ngrejë zërin. Është e domosdoshme, sepse nëse presim që dikush tjetër do e bëj – nuk do e bëj askush tjetër. Fatkeqësisht ata që kanë fuqinë të vendosin për këtë gjë - ata shpesh na shohin si vota jo si njerëz, prandaj sa më shumë vota të shohin që u rrezikohet kolltuku i tyre aq më shpejtë do reagojnë, prandaj i lus të gjithë qytetarët që mos ta lënë për një herë tjetër, pra të gjejnë kohën ku do që ta gjejnë dhe të dalin ditën e premte në orën një”, deklaroi Arianit Xhaferi, “Eco Guerilla”.
Xhaferi iu bëri apel edhe institucioneve për solidarizim, në mënyrë që jehona e protestës të jetë sa më e madhe, dhe autoritetet të marrin masa më urgjente.
“Po ashtu do kisha dashur të iu bëj thirrje edhe institucioneve të ndryshme, shkollave, universiteteve bizneseve të ndryshme, që gjatë ditës së premte nga ora 1 deri në orën 2 apo dy e gjysmë sa do të zgjasë protesta që ti lënë të lirë të gjithë punëtorët, të gjithë studentët dhe nxënësit që të dalin sa më tepër sepse është shumë me rëndësi”, tha Arianit Xhaferi, “Eco Guerilla”.
Sipas informatave nga “Eco Guerilla” për protestën e nesërme në të cilën pritet të marrin pjesë një numër i madh qytetarësh, janë bërë të gjitha parapërgatitjet. Protesta do fillojë në sheshin “Iliria” në orën 13:00 ndërsa do marshohet deri tek unaza në hyrje të Tetovës prej Shkupi, ku edhe do bllokohet rruga për disa minuta. Bashkim Sulejmani







