“Bombat”, përse është kaq i qetë Ali Ahmeti!? - tetova1.com

“Bombat”, përse është kaq i qetë Ali Ahmeti!?


Kategoria: Lajme / TOP LAJM

Postuar më: Thu, Feb 12, 2015





Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti u prononcua dje në lidhje me “bombat” e Zaevit. Nuk u vërejt ndonjë indinjatë e tij për faktin se ishte përgjuar në mënyrë të paligjshme. Gjithashtu, brenda deklaratës kishte diçka kontradiktore. Fillimisht thuhet që t’i besohet drejtësisë vendase, ndërsa në njëjtën kohë edhe i kërkohet bashkësisë ndërkombëtarë që të ndërhyjë. Çfarë e shtyn liderin e BDI-së që të mbajë këso qëndrimesh?

Botuesi i të përditshmes “Lajm”, Fejzi Hajdari, mendon se “qetësia” e Ali Ahmetit dhe mosshfaqja e indinjatës nga fakti që edhe ai ka qenë i përgjuar i adresohet asaj se ai ka dhënë “kontribut të madh për kombin maqedonas saqë ai është i bindur që nuk ka politikan maqedonas që do t’i nxjerrë atij ndonjë aferë”.

“Për këtë qetësi të deklaruar të Ahmetit, ndoshta luan rol edhe ‘bomba’ e parë e Zaevit, e cila ishte tejet afirmative për kryetarin e BDI-së. Ndryshe nuk di se si mund të sqarohet fakti se në kohën kur paraqiten përgjimet masive, është aq i qetë një politikan që është pjesë e qeverisë e cila vrau Harun Aliun dhe shokët e tij, si dhe realizoi procesin ‘Monstra’. Për të përmendur krejt skandalet dhe projektet antishqiptare që janë realizuar gjatë mandatit të tij, nevojitet shumë kohë dhe hapësirë”, ka deklaruar publicisti Hajdari.

Kontradiktat e shfaqura në deklaratat, ku fillimisht është thënë se duhet besuar drejtësisë vendase e më pas drejtësia t’i besohet bashkësisë ndërkombëtare, për Hajdarin nuk janë diçka për t’u habitur, habia do të ishte në atë rast kur nuk do të ndodhte ndonjë kontradiktë.

“Mendoj se deklaratat e palogjikshme, dëshmojnë mos respektin e tij ndaj opinionit shqiptar dhe nuk ia vlen të komentohen shumë e shumë. Ai qëndrimet i ka ndërruar çdoherë, prandaj edhe gjatë ditëve të fundit dy-tre herë ka ndryshuar…Herë thotë institucionet duhet ta kryejnë punën e tyre, herë fton bashkësinë ndërkombëtare, e më pastaj fton edhe FBI-në. Punë Ali Ahmeti mo! Mos ia merrni seriozisht. Deri në këtë derexhe e kemi sjellë punën të ofendojë një politikan si Ali Ahmeti”, ka thënë Hajdari.

Gazetari Xhelal Neziri thotë se është absurde të mos indinjohesh në rastin kur shteti ka përgjuar kaq shumë qytetarë, edhe atë në mënyrë joligjore.

“Na ka përgjuar me teknologjinë milionëshe të blerë para katër viteve, me paratë tona si taksapagues. Na kanë përgjuar njerëz që rrogat i marrin nga mjetet që grumbullon policia nga gjobat rekorde të komunikacionit që paguajmë ne, nga mjetet që grumbullojnë inspektorët financiarë nga lokalet e gjobitura, nga mjetet që inkason DAP-i nga kompanitë e kështu me radhë”, deklaron Neziri.

Ai thotë se ky është skandal i paparë që nuk mund të krahasohet me asnjë tjetër. Një gazetë gjermane, përkujton Neziri, shkroi se edhe STAZ-i i ish-Gjermanisë Lindore komuniste do t’i kishte zili Gruevskin dhe Mijalkovin me këtë përgjim aq masiv. Ndërkohë, z. Ahmeti në mënyrë të çuditshme tenton ta relativizojë gjithë këtë.

Ndërsa në lidhje me kontradiktat që hasen në deklaratën e kryetarit të BDI-së, ku ai fillimisht bënë thirrje që t’i besohet drejtësisë vendase, ndërsa në të njëjtën kohë edhe i kërkon bashkësisë ndërkombëtarë që të ndërhyjë, Neziri thotë se Ahmeti ka mungesë konsistence në qëndrime, sidomos gjatë pesë viteve të fundit.

“Kjo dëshmon për një mungese lirie të veprimit politik, i bazuar në bazë të parimeve të përcaktuara partiake”, vlerëson Neziri.

Abdulla Berisha & Enis Murtezi /SHENJA/

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net