LAJM: Qamilit nuk ia nin që e përgjuan Ali Ahmetin
Prej operatorëve celularë në lidhje me rastin e përgjimeve janë prononcuar vetëm nga “One”. Operatori i telekomunikacionit ONE punon në përputhje me ligjet dhe respekton të gjitha normat ligjore që parashihen në Ligjin për Komunikime Elektronike, duke mos vepruar asnjëherë në shkelje të privatësisë së përdoruesve. Kjo është përgjigjja që ka mbërritur nga ONE, në lidhje me thëniet e liderit socialdemokrat, Zoran Zaev, se përgjimet masive të qytetarëve janë bërë me ndihmën edhe të operatorëve.
“ONE nuk ka bërë asnjë shkelje ligjore me veprimet dhe aksionet e saj për sa i përket privatësisë së përdoruesve të saj”, thuhet në reagimin e shkurtër ONE-it.
Gazeta “Lajm” ka pyetur zv/ministrin për punë të brendshme se vallë ndien përgjegjësi për faktin se është përgjuar edhe lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti dhe se a janë të vërteta informacionet, që vijnë nga burime të gazetës “Lajm” se BDI po kërkon dorëheqjen e Qamilit nga posti i zv/ministrit për punë të brendshme.
Qamili është përgjigjur duke pyetur se prej cilave burime e kemi informatën dhe se nga aty duhet ta kërkojmë edhe përgjigjen e tij.
Nga ana tjetër zëdhënësi i LSDM-së, Petre Shilegov ka deklaruar se do të bëjnë gjithçka që të mbrohet privatësia e një numri të madh të qytetarëve të përgjuar dhe se do të publikohen vetëm aferat korruptive që kanë të bëjnë me qeverisjen e Nikolla Gruevskit dhe disa njerëzve rreth tij.
“Aktiviteti jonë është shumë serioz sepse bëhet fjalë për të ardhmen e shtetit tonë. Në këtë drejtim do të prezantohet i gjithë kriminaliteti për të cilët ne kemi fakte dhe argumente. Qëllimi i LSDM-së është që ajo që ka të bëjë me jetën private të njerëzve të cilët kanë qenë të përgjuar të mos nxirret në publik. Ata janë të dhëna personale të cilët do tu jepen atyre që u takojnë për të cilët vetë do të vendosin se çfarë do të bëjnë”, tha Shilegov.




