Do të publikohen edhe “bomba” për ngjarjet në Kala - tetova1.com

Do të publikohen edhe “bomba” për ngjarjet në Kala


Kategoria: Lajme / TOP LAJM

Postuar më: Tue, Feb 17, 2015





Në mesin e “bombave” që pritet të publikohen nga opozita, do të ketë edhe informacione për incidentin shqiptaro-maqedonas, që ndodhi në Kalanë e Shkupit më 13 shkurt të vitit 2011. Kështu njoftojnë për “Lajm” burime partiake, të cilat dëshirojnë të mbeten anonime. Të njëjtat burime thonë se për shkak të presionit nga bashkësia ndërkombëtare, LSDM fillimisht ka pranuar të mos publikojë “bombat” lidhur me ngjarjet në Kala, nga frika se ato mund të acarojnë raportet ndëretnike. Mirëpo disponimi brenda LSDM-së ka ndryshuar, për shkak se “skenaristi” kryesor i ngjarjeve të Kalasë tani është bërë përkrahësi dhe promovuesi kryesor i politikave të VMRO-DPMNE-së. Burimet tona nuk zbulojnë identitetin e “skenaristit” në fjalë, por thonë se “bombat” do të dëshmojnë që ngjarjet në Kala janë inskenuar për të dëmtuar interesin e shqiptarëve.

Aty ku para disa viteve kryheshin gërmime arkeologjike me buldozerë dhe punohej edhe natën për të ndërtuar kishën -muzë, tani mbizotëron një qetësi e plotë.

Para pak ditësh u mbushën plot katër vjet nga ngjarjet e Kalasë së Shkupit dhe për katër vjet, Kalaja u shkretua plotësisht. Përveç ndonjë vizitori të rastësishëm, tashmë në Kalanë e Shkupit nuk shkon askush. Dryni i vënë gjatë kohë në muret e Kalasë së Shkupit, me arsyetimin që të mos përsëriten incidentet, largoi nga kjo fortesë të gjithë vizitorët dhe e la atë në harresë.

Përveç, muzeut të periudhës së mesjetës, ose kishës në kala që ishte e ndërtuar deri në një masë, gjatë këtyre katër viteve në Kala janë ndërtuar edhe muzeu parahistorik, aty ku u gjet shtëpia dardane, por që arkeologët maqedonas kurrë nuk e pranuan si të tillë dhe muzeu i kohës osmane, që është ndërtuar në vendin ku dikur ka pas një xhami.

Muzeu-kishë për të cilin ndodhën edhe trazirat e vitit 2011 tashmë ka mure me tulla të bardha. Muzeu parahistorik është ndërtuar në formën e një kupole prej qelqi me shkallë mermeri, ndërsa muzeu i kohës i periudhës osmane me gurë e qeramikë. Në pamje të parë kupola e qelqtë i ngjason gjithçkaje, por jo edhe parahistorisë.

Asnjëri nga tre muzetë nuk është i gatshëm për vizitorët, pasi sipas planit dhe marrëveshjes ata do të përfundojnë në të njëjtën kohe dhe do të hapen që të tre së bashku, por kur do të ndodhë kjo nuk dihet. Gjithçka varet prej rrethanave politike.

Qytetarët e Shkupit, të cilët ishin vizitorë të kësaj fortese nuk e dinë nëse ndonjëherë Kalaja do të rikthehet dhe bëhet pjesë e vizitave të tyre.

“S’e mbaj mend kurrë kam qenë për herë të fundit në Kala. Dikur shkoja me familjen, por tani më duket se është e mbyllur”, thotë për “Lajm”, Enver I. nga Shkupi.

Po ashtu edhe Emine E. po nga Shkupi, thotë se tani Kalanë e kanë hequr nga lista e vendeve të preferuara. “Nuk shkojmë më në Kala. Atje njëherë punohej, pastaj u mbyll, tani me s’e di se çfarë ka ndodh”.

Më 13 shkurt të vitit 2011në Kalanë e Shkupit u përleshën dy grupe protestuesish dhe kontra protestuesish, shqiptarët dhe maqedonasit. Protestuesit e organizuar nga “Zgjohu” u pritën nga një grup maqedonasish të mbuluar me maska, të pajisur me thika dhe me shufra hekuri, të cilët kishin zënë vend në kala. Policia edhe pse ishte e madhe në numër nuk arriti që të ndalonte konfrontimin. Pas disa minutash përleshjeje me gurë e me shishe, situata u qetësua. Fatmirësisht nuk pati viktima, por pati vetëm disa të lënduar nga të dyja palët. Disa ditë më vonë MPB ngriti padi penale ndaj 55 personave, shumica e të cilëve ishin anëtarë të “Zgjohu”-t. Ata u dënuan me dy vjet heqje lirie me kusht. Disa e pranuan padinë, ndërsa disa të tjerë akoma janë në proces gjyqësor, proces ky që nuk ka epilog rreth katër vjet.

Ngjarjet në Kalanë e Shkupit bënë një kthesë, nëse kthesa ishte pozitive apo negative le të vlerësojnë vetë lexuesit.

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net