A po e merr në dorë Amerika zgjidhjen e krizës
|
Ambasadori i ri i SHBA-ve në Shkup, Xhes Bejli, u takua të mërkurën me kryeministrin Nikolla Gruevski dhe liderin e LSDM-së, Zoran Zaev.
Siç informojnë nga kabineti i Gruevskit, në takim janë përshëndetur marrëdhëniet bilaterale midis dy vendeve dhe u shpreh përkushtimi ndaj vazhdimësisë së përparimit dhe thellimit të tyre.
“U shpreh përcaktimi i intensifikimit të bashkëpunimit në të gjitha sferat e interesit të përbashkët. Bashkëbiseduesit biseduan për reformat të cilat po i realizon qeveria e Republikës së Maqedonisë dhe për gjendjen aktuale politike, ku kryeministri Gruevski e theksoi përcaktimin strategjik të vendit tonë për integrimin në instancat euro atlantike dhe përparimin e standardeve në të gjitha sferat shoqërore”.
Bashkëbiseduesit e theksuan edhe rëndësinë e bashkëpunimit në misionet paqësore ku merr pjesë edhe Maqedonia nën udhëheqjen e NATOs. Dy palët biseduan edhe për mundësitë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik, shkëmbimeve tregtare dhe bashkëpunimit në sferën e investimeve.
Ndërkaq, takimi me Zaevin është mbajtur në orët e vona të pasdites në selinë e LSDM-së.
Ndërkohë ekipi i avokatëve të LSDM-së ka deponuar dëshmi të reja në Prokurori, lidhur me padinë që kishin ngritur kundër Gruevskit dhe Mijallkovit për përgjimin e mbi 20 mijë qytetarëve. LSDM-ja njoftoi se do të vazhdojë të deponojë dëshmitë në prokurori, paralelisht me procesin e publikimit të bombave.










