Isa Mustafa ka ndërprerë bizneset e BDI-së me PDK-në? - tetova1.com

Isa Mustafa ka ndërprerë bizneset e BDI-së me PDK-në?


ali-hashim-isa
Kategoria: Lajme / TOP LAJM

Postuar më: Thu, Feb 19, 2015





Opinioni mbarëshqiptar ka mbet i habitur nga BDI-ja dhe Ali Ahmeti se si “kanë harruar” pa ia uruar shtatë vjetorin e pavarësisë udhëheqësve të Kosovës dhe gjithë qytetarëve të saj. Dhjetëra lexues të “Lajmit” kanë pyetur se si është e mundur që Ali Ahmeti dhe BDI, të cilët janë ndër të parët që urojnë gjithçka të kenë nxjerrë jashtë agjendës së urimeve shtatë vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Urimi në facebook i liderit Ahmeti që u bë në orët e mbrëmjes së 17 shkurtit, sipas tyre nuk është urim zyrtar, por tallje. Ata pyesin se ku është “Dita e Plisit”, ku defilonte BDI-ja çdo 17 shkurt?

“Përshëndetje miq, u bënë 7 vjet nga kurorëzimi i përpjekjeve dhe sakrificave të shumë gjeneratave për Kosovën e pavarur, të lirë dhe demokratike. Gëzuar përvjetorin e 7 të shpalljes së pavarësisë së Kosovës”, ishte urimi i shkurt i Ahmetit në facebook-un e tij, përmes të cilit më tepër duket se dëshiron të fshehë raportet e ftohura me kreun shtetëror të Kosovës, se sa të urojë shtatë vjetorin e pavarësisë.

Burime të “Lajm”-it thonë se shkak për mungesën e urimit zyrtar të BDI-së është kryeministri i ri i Kosovës, Isa Mustafa. Sipas tyre, me zgjedhjen e Mustafës për kryeministër, janë dobësuar dukshëm bizneset e biznesmenëve të afërt të BDI-së me Kosovën, që kanë qenë mjaft intensive në kohën kur kryeministër ishte Hashim Thaçi. Burimet tona thonë se kjo ka irituar edhe udhëheqësit e lartë të kësaj partie. Edhe analistët janë të njëjtit mendim.

“Shkaku i parë pse munguan urimet prej BDI-së mendoj se është frika se mund të hidhërohet Serbia, në këto moment delikate për koalicionin në pushtet. Edhe unë kam dëgjuar disa ifnrormata se me ardhjen e Isa Mustafës për kryeministër, janë ndërprerë bizneset që funksionarë të BDI-së kanë zhvilluar në Kosovë me PDK –në e Hashim Thaçit”, thotë për “Lajm”, analisti Semi Mehmeti.

Viteve të kaluara, BDI dhe Ahmeti, jo vetëm që nuk “harronin” ta urojnë pavarësinë e Kosovës, por merrnin pjesë edhe në manifestimin që mëtonte të jetë tradicional në Shkup “Dita e plisit”, që organizohej nga Lëvizja Qytetare “Zgjohu” i cili më tepër i përngjante një defilimi partiak të BDI-së. Për dallim prej BDI-së, kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi, uroi kreun shtetëror të Kosovës – presidenten Atifete Jahjaga, kryeministrin Isa Mustafa dhe kryeparlamentarin, Kadri Veseli.

Analistët vlerësojnë se ky është një sinjal se pas një kohe të gjatë, PDSH ka konsoliduar raportet me kreun shtetëror të Kosovës. Urime me rastin e shtatëvjetorit të pavarësisë së Kosovës dërguan edhe zëvendëskryeministri Musa Xhaferi dhe kryetari i komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta, por jo në cilësinë e funksionarëve të BDI-së.

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net