Junker e anulon takimin me Gruevskin në Bruksel - tetova1.com

Junker e anulon takimin me Gruevskin në Bruksel


Kategoria: Lajme / TOP LAJM

Postuar më: Mon, Feb 23, 2015





Presidenti i Komisionit Evropian Zhan Klod Junker anuloi takimin me kryeministrin Nikolla Gruevski. Takimi i cili planifikohej të mbahej të enjten, u anulua për shkak të situatës politike në vend, theksojnë nga Komisioni Evropian duke shtuar se Junker e vlerëson si të pafavorshme, që takimi të zhvillohet pikërisht në këtë periudhë krize.

“Ne kemi qenë në kontakte të vazhdueshme me autoritetet e IRJM-së, e dini se komisioneri Han ishte në shtet më 17-tin, pra ne zhvillojmë kontakte me to, e vetmja gjë që mund të them është se pikërisht për shkak të situatës së tillë në zhvillim e sipër në shtet, mbajtja e këtij takimi nuk është e favorshme pikërisht tani”, tha Mina Andreeva, zëdhënëse e Komisionit Evropian.

Takim i cili nëse do realizohej do të ishte i pari mes kryeministrit Greuvskit me njeriun e parë të Komisionit Evropian Junker, u paralajmërua ditën e premte nga zëdhënësi i Komisionit.

“Ne kemi publikuar tanimë kalendarin e Presidentit Junker për javën e ardhshme…Të enjten, javën e ardhshme Presidenti Junker do ta mirëpret kryeministrin e IRJM-së Nikolla Gruevski në orën 4”, u shpreh ditë më parë Margaritis Schinas, zëdhënës i Komisionit Evropian.

Megjithatë nga Qeveria sot nuk deshën të komentojnë anulimin e takimit, ndërkohë që Ministri i Jashtëm Nikolla Poposki i cili duhej të ishte pjesë e delegacionit, u shtir kinse nuk e dinte fare që ky takim duhej të zhvillohej të enjten dhe se për herë të parë e dëgjonte nga gazetarët.

“Jo, jo nuk do të ketë takim të tillë, të paktën në bazë të informatave që posedoj unë. Ne kemi komunikim të përditshëm dhe shkëmbejmë mendime edhe për këtë çështje, por komisioneri Han ishte këtu para pak ditësh, dhe sipas informatave tona nuk mendoj se do të ndodh një takim i tillë, të paktën jo për momentin, që nuk do të thotë se nuk mund të ndodh në të ardhmen”, deklaroi Nikolla Poposki, Ministër i Jashtëm.

 

 

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net