Në USHT i filloi punimet Konferenca e Dytë Ndërkombëtare Ballkanike e Shkencave Sportive
|
Në Universitetin Shtetëror të Tetovës sot i filloi punimet Konferenca e Dytë Ndërkombëtare Ballkanike e Shkencave Sportive që organizohet nga Fakulteti i Kulturës Fizike i USHT-së. Konferencën e shpalli të hapur Prorektori për Arsim i Universitetit Shtetëror të Tetovës, Prof. dr. Fehari Ramadani, i cili në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve tha: “Hapja e punimeve të konferencës së sotme shkencore e rikonfirmon edhe njëherë gatishmërinë institucionale dhe përcaktimin tonë të përbashkët në përparimin e veprimtarisë arsimore dhe shkencore, krijimin e mundësive për kuadrot akademike, të cilët me kontributin e tyre shkencor besojmë se do t’i avancojnë më tej përparësitë dhe risitë që ofrojnë sot shkencat sportive. Organizimi i një aktiviteti shkencor sigurisht që nuk është i lehtë, por duke pasur parasysh se në këto takime marrin pjesë akademikë të njohur dhe studiues të dëshmuar që diskutojnë rreth çështjeve tejet të rëndësishme, Universiteti Shtetëror i Tetovës do të vazhdojë angazhimin e tij në organizimin e këtyre aktiviteteve për të përmbushur përgjegjësitë që ka ndaj shoqërisë dhe kjo përbën një nga qëllimet kryesore për të gjithë ne”, tha Prof. dr. Fehari Ramadani. Ai, po ashtu vuri në dukje se, “Fakulteti i Kulturës Fizike i Universitetit Shtetëror të Tetovës e ka dëshmuar se ka krijuar një traditë të mirëfilltë në edukimin e brezave të rinj, në fushën e kulturës fizike dhe sportive. Në gjirin e këtij fakulteti janë përgatitur profesionalisht disa gjenerata studentësh, të cilët me zell e përkushtim janë pajisur me dijet e nevojshme në këtë lëmi”, shtoi mes tjerash Prof. dr. Fehari Ramadani, Prorektori për Arsim i USHT-së.
Dekani i Fakultetit të Kulturës Fizike, Prof. dr. Hajri Ziba theksoi se Fakulteti i Kulturës Fizike me organizimin e këtyre konferencave shkencore ka bërë hapa të mëdhenj për të qenë pjesë e zhvillimeve sportive. “Fakulteti i Kulturës Fizike në kuadër të Universitetit Shtetëror të Tetovës synon që studentët që mbarojnë studimet, të jetë të përgatitur profesionalisht dhe të kenë respektin për njeriun gjatë gjithë veprimtarisë së tyre. Po kështu, në institucionin tonë punohet për mundësi të teknologjive të reja sportive, për dije, për shërbime që kërkohen kontakte dhe integrime të studentëve tanë në projektet shkencore të përbashkëta. Nëse ia arrijmë këtij qëllimi lirisht konstatojmë se kemi arritur ta përmbushim misionin në funksionin për të cilin ekziston ky institucion”, nënvizoi Prof. dr. Hajri Ziba, dekan i Fakultetit të Kulturës Fizike.
Koordinatori i konferencës, Doc. dr. Fadil Mamuti tha se në këtë konferencë do të trajtohen pesë tema. “Me datën 27 shkurt 2015, Fakulteti i Kulturës Fizike i USHT-së organizoi Konferencën e Dytë Ndërkombëtare Ballkanike të Shkencave Sportive. Në këtë konferencë janë të përfshirë 5 tema: Edukimi fizik; Sporti; Shëndeti, edukimit fizik dhe sporti; Menaxhimi i edukimit fizik dhe sportit dhe Ndikimi i edukimit fizik dhe sportit në rritjen dhe zhvillimin e adoleshentëve”, u shpreh Doc. dr. Fadil Mamuti.
Kjo konferencë është mbështetur fuqishëm edhe nga Zyra për hulumtime shkencore dhe inovacione e USHT-së. Përgjegjësi i kësaj zyre, Prof. dr. Bashkim Ziberi theksoi se kjo zyrë i kushton rëndësi të veçantë punës kërkimore-shkencore, si dhe mbështetjes për hulumtuesit dhe shkencëtarët e saj. “Në këtë drejtim, udhëheqësia e USHT-së nën udhëheqjen e Rektorit, Prof. dr. Vullnet Ameti ka formuar një sërë zyrash, e veçanërisht për komponentën shkencore me rëndësi janë Zyra për përpilim dhe menaxhim të projekteve, si dhe Zyra për hulumtime shkencore dhe inovacione. Roli i Zyrës për hulumtime shkencore është pikërisht të ndihmojë komunitetin shkencor të USHT nëpërmjet furnizimit me të dhëna, këshillim dhe udhëzim në çdo aspekt të planifikimit, aplikimit, financimit dhe realizimit të kërkimit shkencor. Një rol të rëndësishëm luajnë konferencat shkencore ku hulumtuesit kanë mundësi të prezantojnë punimet e tyre dhe të diskutojnë e shkëmbejnë përvojat me njëri tjetrin dhe të koordinohen për projekte shkencore të përbashkëta”, deklaroi Prof. dr. Bashkim Ziberi.
Njëherit, në këtë konferencë pritet që të marrin pjesë mbi 100 pjesëmarrës të edukimit, shëndetit, sportit, rekreimit, menaxhimit, turizmit dhe profesionalistë të tjerë që kanë të bëjnë me edukimin fizik dhe sportin, nga 16 institucione nga vendi dhe jashtë vendit, ku do të prezantojnë punimet e tyre që paraprakisht janë pranuar nga Bordi organizativ i Konferencës dhe janë të botuara në librin e abstrakteve.










