Ekspertët: Përgjimi i ndërkombëtarëve fundos imazhin e Maqedonisë
|
Njohësit e çështjeve ndërkombëtare i cilësojnë si skandaloze pretendimet për përgjimin e ambasadorëve të huaj në vend. Një gjë e tillë sipas tyre do të dëmtojë akoma më shumë imazhin e Maqedonisë dhe do të shtyjë Qeverinë në izolim akoma më të madh ndërkombëtar. Bojan Mariçiq vlerëson se me një veprim të tillë, Maqedonia jo vetëm që ka shkelur konventat ndërkombëtare por ka tradhtuar besimin ndaj vendeve që e kanë ndihmuar jo vetëm politikisht por edhe financiarisht.
“Kjo do ta dëmtojë shumë Maqedoninë sepse vet delegacioni i BE-së në vend tha se nëse dëshmohet një gjë e tillë, ajo përbën shkelje e të gjitha Konventave Ndërkombëtare për diplomaci dhe marrëdhënie ndërkombëtare. Kjo qeveri e shtyn Maqedoninë në konfrontim me shtetet perëndimore të BE-së dhe NATO-s, dhe udhëheq një politikë e cila e largon nga qëllimet e deklaruara publikisht për anëtarësim në BE dhe NATO. Është tragjike nëse në mesin e 6 ambasadorëve ka edhe ambasadorë të shteteve më me ndikim që i konsiderojmë si miq dhe që kanë investuar përpjekje, financa dhe kredibilitet politik në 25 vitet e fundit. Kjo është tragjike për Maqedoninë por edhe qytetarët”, tha Bojan Mariçiq, Qendra Maqedonase për Edukim Evropian.
Edhe nëse dëshmohet si i vërtetë, përgjimi i ambasadave nuk ka për të çuar në largimin e tyre, sipas Ismet Ramadanit. Përkundrazi, ata janë më të nevojshëm se kurrë që ta ndihmojnë Maqedoninë të dalë nga kriza politike.
“Ata do ta përforcojnë edhe më shumë ndikimin për t’i ndihmuar pjesës progresive në Maqedoni dhe të rrisin kapacitetin politik të opozitës ta ndryshojë këtë pushtet, të ndryshojë mënyrën e qeverisjes në këtë shtet, sepse edhe ashtu ambasadat e tyre gjithnjë kanë ndikuar që mos të ndodhë më e keqja në Maqedoni, por ta mbajnë në diskursin euro-atlantik”, u shpreh Ismet Ramadani, Këshilli Euro-atlantik i Maqedonisë.
Lideri i opozitës Zoran Zaev, gjatë shpalosjes së bombës së pestë me radhë theksoi se posedon dëshmi që pushteti ka përgjuar të paktën 6 ambasadorë të huaj në vend. Edhe ambasadori italian Ernesto Belelli tha se ishte në dijeni të një gjëje të tillë, dhe tha se përgjimi bie ndesh me Konventën e Vjenës që garanton imunitet të plotë si dhe fshehtësi komunikimi me shtetet përkatëse. Ambasadorët nuk guxojnë madje të përgjohen as me urdhër gjyqësor nga Maqedonia.
Semra Jakupi















