Fshati ku tymosin vetëm katër oxhaqe
|
Rrëzë Malit Sharr shtrihet fshati Gornjan i cilit shtrihet në një lartësi mbidetare diku 800 metra. Ky fshat graviton brenda territorit të Komunës së Vrapçishtit. Jo më larg se 50 vite, ky fshat ka qenë i populluar me rreth 80 familje, ndërsa tani numëron jo më shumë se katër familje. Fyelli dhe zëri i bukur i barinjve, dasmat dhe festat autoktone të fshatit, traditat dhe doket e bukura të banorëve të fshatit, tashmë i takojnë një të kaluara të afërt historike. Edhe tek kroi i fshatit që dikur ishte vendtakim për banorët e fshatit, tani nuk buron uji. Janë ditët e vikendit, e shtuna dhe e diela që sa do pak gjallërojnë jetën në këtë fshat thuajse të boshatisur tërësisht. Janë banorët me prejardhje nga ky fshat, që gjatë vikendit vendosin të vizitojnë fshatin e të parëve. Edhe pse në fshatin Gornjan të Komunës së Vrapçishtit, jetojnë vetën katër familje, dëshira e banorëve për rikthimin e jetës aty, është i pashoq. Para ca vitesh, në këtë fshat filloi ndërtimi i objektit të ri të Xhamisë së fshatit. Për banorët e fshatit, simbolika për vazhdimin e jetës në këtë fshat është objekti i xhamisë. “Ndërtimi i këtij tempulli fetar, padyshim se do të ndikon në rikthimin e jetës këtu. Xhamia, ambulanca dhe infrastruktura rrugore janë elementet bazike për jetesë. Andaj duhet që maksimalisht të angazhohemi që këto kushte të krijohen dhe me këtë edhe banorët e shpërngulur të fshatit, perspektivën sërish ta shohin këtu në vendlindjen e tyre”, thotë banori me prejardhje nga ky fshat, Xhabir Selami. Kushtet e rënda ekonomike dhe mungese e infrastrukturës rrugore, kanë bërë që ndër vite banorët këtij fshati malor të migrojnë në fshatrat fushore, siç është Senakosi, Gradeci apo Pallçishti. “Këtu në fshat jetojmë vetëm katër familje, siç e shihni këtu nuk vërehet asgjë e gjallë. Jeta në fshat thuajse është shuar. Kushtet janë mizore, sidomos kur flitet për infrastrukturën, shkollën dhe ambulancën. Këtu përveç produkteve që na dhuron natyre, asgjë tjetër s’ka, as edhe një shitore”, thekson Xhabir Fetahu, banor i fshatit. Tani në shkollën e fshatit mësojnë vetëm katër nxënës, të cilët pasi të kalojnë katër vitet e para, mësimet e shkollës fillore duhet t’i ndjekin në shkollën qendrore të fshatit Gradec. Është një vendbanim rural dhe malor që shtrihet në mes të bjeshkëve të malit Sharr. Edhe në këtë fshat, si zakonisht të ardhurat kryesore sigurohen nga mërgimtaret, pjesa tjetër e popullatës i siguron të ardhurat një pjesë të madhe nga blegtoria, pylltaria dhe veprimtari tjera individuale. Fshati Gornjan ka mungesë edhe të ambulancës. Shkolla e fshatit është një kat dhe posedon vetëm një klasë, kushtet e së cilët ngjasojnë me shkollat e para dy shekujve. Banorët e këtij fshati në rast urgjence, duhet të udhëtojnë me kilometra deri te ambulancat e fshatrave të fushës së Komunës së Vrapçishtit, apo edhe në Spitalin e Gostivarit dhe Tetovës. Rruga që shpien drejt këtij fshati, është në gjendje të mjerueshme, sa që në periudhën e Dimrit, në kushte acari dhe sasie të madhe të borës është e patejkalueshme, kjo si pasojë e ngushticës por edhe lartësisë. Brenda territorit të fshatit nuk ekziston as edhe një shitore mallrash ushqimore, puna e vetme që bëhet është blegtoria dhe bujqësia. Familjet e mbetura aty, kryesisht kultivojnë blegtorinë nga e cila edhe sigurojnë ekzistencën familjare. Megjithëse numërohen familjet e fundit të mbetura në fshat, vullneti dhe dëshira për rikthimin e jetës atje, ekziston. Kjo, nga banorët e shpërngulur të fshatit. “Mendje e kemi këtu, shpresojmë që një ditë të kthemi sërish. Po që se na sigurohen kushtet elementare për jetë, pse jo. Por në një gjendje të tillë, kur fshati ndodh që 6 muajt e Dimrit të mbetet i izoluar nga Bota, vërtet nuk ka kushte për jetesë. Nuk ka mjek, nuk ka as edhe një shitore ku të blihet një bukë”, theksoi Xhabir Selami, banor i këtij fshati i shpërngulur para 50 vitesh në fshatin Pallçisht. Nga e kaluara historike e fshatit Gornjan, mund të konstatohet se ky fshat ka qenë i banuar me popullatë shqiptare.










