Gruevski nuk i komenton përmbajtjet e bisedave
Kryeministri Nikolla Gruevski vazhdon të mos komentojë përmbajtjen e bisedave telefonike të publikuara nga lideri i opozitës Zoran Zaev ditëve të fundit. Ai përsëriti se do të presë që gjykata të vërtetojë autenticitetin e bisedave, para se të bëjë komente rreth përmbajtjes.
Në kohën që zoti Zaev paralajmëronte bombat, kishte më tepër komunikata nga VMRO DPMNE-ja, “le të publikojë gjithçka që ka”, ndërsa tani askush nuk ka koment rreth përmbajtjes?
“Nuk është e saktë, ne në çdo ngjarje japim komente”, u përgjigj Gruevski.
Por nuk e komentoni përmbajtjen?
“Përmbajtjen do ta komentojmë kur të konfirmohet autenticiteti në proces gjyqësor, nëse konfirmohet”, u shpreh Nikolla Gruevski, kryeministër.
Gruevski nuk iu përgjigj as pyetjes nëse në bisedat mes zv. kryeministrit Zoran Stavrevski dhe ministres së brendshme Gordana Jankullovska ka indikacione për vepër penale “tentativë për dhunë ndaj bartësve të funksioneve më të larta shtetërore”, vepër për të cilën ngarkohet lideri i opozitës Zoran Zaev.
Biseda telefonike – Stavrevski - Jankullovska
Stavrevski:“Të them mbrëmë çfarë mesazhi më erdhi, jam bezdisur nga çdo gjë. Doja ta merrja telefonin dhe t’ia thyejë kokën”.
A dalloni vepër të tillë në bisedat mes zotit Stavrevski dhe zonjës Jankullovska?
“Sa iu përket bisedave, siç e dini edhe vetë, dje u përgjigja se për autenticitetin e tyre nuk do të komentoj derisa nuk përfundon procesi gjyqësor”, u shpreh Nikolla Gruevski, kryeministër.
Fakti që lideri i opozitës Zoran Zaev pranoi se komunikimi i koduar mes Zoran Verushevskit dhe familjes së tij është autentik, sipas Gruevskit, zbulon se lideri i opozitës ka gënjyer kur theksonte se nuk ka pasur kontakte me Verushevskin. Megjithatë Gruevski nuk u përgjigj se përse Verushevski do të komunikonte me kode, nëse ai ka qenë organizator i përgjimit, siç thotë vetë Gruevski.
Kryeministër, pse ata do të komunikonin me mesazhe të koduara nëse nuk përgjon pushteti, por përgjojnë ata?
“Unë do ta parashtroja pyetjen ndryshe. Pse ndonjë njeri normal, nëse nuk bën krim, nëse nuk bën diçka të kundërligjshme, diçka antikushtetuese, do të komunikonte me mesazhe të koduara. Kjo është pyetja e vërtetë”, u shpreh Nikolla Gruevski, kryeministër.
Sipas Gruevskit vëmendja nuk duhet përqendruar vetëm tek përmbajtja e bisedave, por edhe tek organizatorët, urdhëruesit dhe ndihmësit e përgjimit masiv, që sipas tij është kryer nga shërbimet e huaja sekrete, përmes instalimeve në policinë e Maqedonisë. Benjamin Arifi





