Stadiumi i qytetit të Tetovës do të rinovohet i pari
|
Jo në muajin maj, por pas xhiros së 19, do të fillojnë punimet në stadiumin e qytetit të Tetovës. Sipas asaj që arritëm të kuptojmë, Komuna e Tetovës dhe Federata e Futbollit të Maqedonisë sot (e martë) në Tetovë (zyrat e komunës së Tetovës) do të firmosin marrëveshjen për realizimin e projektit “UEFA Hat-trik 4”, që parasheh rikonstruimin e pesë stadiumeve, Manastir, Prilep, Shtip, Tetovë dhe sipas gjitha gjasave edhe në stadiumin në Kërçovë. Megjithatë, stadiumi i qytetit në Tetovë, do ti fillojë i pari punimet, teksa siç thamë sot (e martë) do të firmoset marrëveshja mes Komunës së Tetovës dhe FFM-së për realizimin e këtij projekti. Ndryshe, në marrëveshjen që do ta firmosin, kuptuam se Komuna e Tetovës do të merr përgjegjësinë për ndërtimin e një tribune e cila do të ketë kapacitet prej pesë mijë ulëseve dhe hapësirat nën tribuna, dhe nëse i realizon këto, atëherë e fiton investimin nga e Federatës së Futbollit të Maqedonisë e mbështetur nga projekti “UEFA Hat-trik 4”, që parasheh ndriçimin dhe vendosjen e reflektorëve dhe më kryesorja rinovimin e fushës, e cila aktualisht është në gjendje të mjerueshme. Në ndërkohë, në takimin që do të realizohet sot, do të mësohet se sa do të zgjasin punimet që pritet të bëhen në stadiumin e Qytetit në Tetovë, i cili ka kapacitet prej 15,000 ulëseve dhe në të ardhmen numri i ulëseve mund të rritet deri në 20,000, me çka dashamirët e futbollit do të kënaqeshin kur do të shikojnë një ndeshje kampionale dhe ndërkombëtare në stadiumin e rinovuar. Cekim, në stadiumin e qytetit në Tetovë aktualisht ndeshjet si nikoqir i zhvillojnë tre ekipe, Shkëndija, Renova dhe Teteksi, ndërsa kur të fillojnë punimet në këtë stadium, ato do të jenë të detyruar të kërkojnë solucion se ku do ti zhvillojnë ndeshjet e tyre si nikoqir. Sipas drejtorit sportiv të Shkëndijës, Nebi Mustafit, transmeton “Makedonski sport”, kuqezinjtë sipas gjitha gjasave si nikoqir do të luajnë në arenën “Filipi i dytë” në Shkup. “Duke marrë parasysh se stadiumin në Tetovë nuk do të mund ta shfrytëzojmë në periudhën e ardhshme, ne si stadiumin nikoqir e kemi paraqitur atë në Kumanovë, mirëpo sinqerisht ne si klub seriozisht jemi duke e shqyrtuar mundësinë që nikoqir të jemi në arenën “Filipi i dytë”, sidomos kur do të luajmë me Vardarin, pasi në Kumanovë nuk mund të organizojmë ndeshje që do të jenë me rrezik të madh. Do të dalim me kumtesë dhe do të mësoni gjithçka”, tha Mustafi. Në ndërkohë, drejtori sportiv i Renovës për KOHA tha se ‘ndeshjet si nikoqir Renova do ti zhvillojë në stadiumin e KF Drita në Bogovinë’, teksa Teteksi, në stadiumin e Makedonia Gj.P., në lagjen Gjorçe Petrov. /Bujar Kurtaj/















