Analistët: “Bomba 8″ shpalosi vasalitetin e BDI-së e PDSH-së - tetova1.com

Analistët: “Bomba 8″ shpalosi vasalitetin e BDI-së e PDSH-së


pergjime
Kategoria: Lajme / TOP LAJM

Postuar më: Wed, Mar 11, 2015





Në incizimet e “bombës” së tetë u shpërfaq qartazi ajo që dyshohej se lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi në fakt është një shërbëtor i VMRO-së dhe konkretisht i Mijallkovit. Gjithashtu, në incizimin e djeshëm pati fakte për ndërhyrjen e zyrtarëve të lartë të çështjet e drejtësisë që u pa sidomos nga biseda Mijallkov – Xhaferi. Çfarë mund të pasojë, kah po shkon vendi?!

Publicisti Xhelal Neziri, në një deklaratë për portalin SHENJA, shprehet se bisedat e dëgjuara mbrëmë dëshmuan se në Maqedoni nuk ka shtet dhe as institucione, por me vendin udhëheq një klan familjar që është dehur nga pushteti, luksi dhe hajnia.

“Keqpërdorimet zgjedhore dhe partizimi i institucioneve i delegjitimojnë jo vetëm partitë qeveritare, si VMRO-DPMNE dhe BDI, por tërë procesin zgjedhor me të gjitha segmentet tjera përbërëse. Këto kanë kërcënuar administratën, shantazhuar komunitetin e biznesit, kanë manipuluar në të gjitha format më perverse vetëm që të arrijnë te qëllimi”, ka deklaruar publicisti Neziri.

Në të njëjtën vijë me publicistin Neziri, është edhe analisti politik, Nazim Rashidi, i cili thotë se shpërthimi i bombave tregon se në Maqedoni shteti është i rrënuar.

“Bomba e tetë është në vazhdën e prezantimeve që tregon se shteti në Maqedoni është i rrënuar. Ironia është se këtë duket ta ketë bërë një parti e cila hiqet si patriote. Në vend që të ndërtojë shtetin e shekullit 21 ajo, e ka shndërruar të gjithë sistemin në parti-shtet. Një shkatërrim total i gjithë asaj që quhet shtet. Këtë edhe armiqtë më të mëdhenj të Maqedonisë të dëshironin nuk do ta arrinin. Tani askush, as shqiptarë as maqedonas e as të tjerët si besojnë asnjë institucioni. Kjo pasojë e madhe tani do vazhdojë me vite. Ajo që pamë në bombën e tetë vetëm sa e përforcon këtë”, ka deklaruar për SHENJA, analisti Rashidi.

Bisedat e publikuara dje, për të cilat nga LSDM-ja pohojnë se janë të vërteta dhe autentike, treguan edhe besnikërinë e liderit të PDSH-së Menduh Thaçi, ndaj kreut të DSK-së, Sasho Mijallkov. Për këtë bisedë, publicisti Neziri, thotë se do ta vulos karrierën politike të Menduh Thaçit ngase u dëshmua se PDSH është në pushtet nga opozita e që sipas tij paraqet një paradoks të pashpjegueshëm.

“Më shumë se dy dekada në politikë, ai nuk arriti ta kuptojë përgjegjësinë dhe peshën e mbi 70 mijë votueseve, pjesa më e madhe e të cilëve e kanë përkrahur me sinqeritetin më të madh duke besuar se është një opozitë e mirëfilltë shqiptare që nuk arrihet të kuptohet mirë në opinionin shqiptar. Besnikërinë e këtyre njerëzve ai ia dha VMRO-së, pa mos me qenë pjesë e pushtetit. Ato që kanë sy e panë realitetin se përveç partisë në pushtet BDI, edhe partia në opozite PDSH është pjesë e makinerisë shkatërruese të Mijalkovit. Kjo është e tmerrshme, vërtetë mjaft shqetësuese”, ka deklaruar Neziri.

Ndërsa, ai thotë se bisedat zbuluan se funksionarët e BDI-së, e posaçërisht zëvendëskryeministri Musa Xhaferi, përgjegjës për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, aspak nuk është marrë me zbatimin e kësaj marrëveshje por me “biznese gjyqësie”.

“Po a nuk u bë gjithë ajo kryengritje në vitin 2001 për atë Marrëveshje? Kemi të bëjmë vërtetë me një degjenerim politik, i cili ka lëshuar metastaza në gati të gjithë hapësirën politike të shqiptarëve të Maqedonisë”, ka shtuar Neziri.

Ndërkaq, analisti Rashidi thotë se incizimet kanë deligjitimuar totalisht këtë klasë politike dhe se “e ardhmja e këtyre politikanëve do të duhet të jetë vetëm në histori në pjesën më të shëmtuar të saj. Çdo mbijetesë e tyre është e qartë se nuk do jetë si rrjedhoje e interesave shqiptare”, ka thënë Rashidi,

Ai thotë se çdo ndikim i Ekzekutivit do të duhet të çonte menjëherë në dorëheqje, sipas tij sistemi gjyqësor është më pak i reformuar ndër vite që tregon se sa pak kredibilitet ka treguar ndaj presioneve.

“Fakti që asnjë që është pjesë e këtij sistemi nuk po kundërshton gjithë këtë që ndodh tregon se sa i kapur është sistemi i drejtësisë. Por mbi të gjitha, e gjithë situata tregon se sa pa sens për shtetin, për konceptin bazik të tij kanë ata që kanë fuqi. Kjo tregon se asnjë vlerë të demokracisë nuk është brenda tyre”.

Sipas Rashidit, në të kundërt asnjëherë nuk do të lejonin një lëmsh të tillë ndërhyrjeje dhe kontrolli mes pushteteve. Ai thotë se që të kthehet sado pak besimi në gjyqësor, duhet më se paku të shohim reagime nga ana e atyre që janë pjesë e këtij pushteti, të shohim të paktën se ka profesionistë që kundërshtojnë këtë që ndodh.

“Nuk e di ndërkohë se sa do të amnistohen për heshtjen kaq të gjatë, ndërkohë që gjithë ligjet dhe kushtetuta janë në anën e tyre. E rëndë është pasoja, si për gjithë institucionet e tjera”, ka thënë Rashidi për SHENJA.

Enis Murtezi /SHENJA/

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net