Sela: Në PDSH e reformuar do të ketë vend edhe për Menduh Thaçin
|
Kryetari i Strugës nga PDSH-ja, Ziadin Sela, vlerëson se partia e tij nuk duhet që me çdo kusht të futet në pushtet.
“Unë mendoj se momenti për futjen e PDSH-së në pushtet është i lidhur me ligjin e ri të letërnjoftimeve, me të cilën shumë mërgimtarëve shqiptarë praktikisht do t`i merret vendi i jetesës, edhe pse në vazhdimësi paguajnë tatimet ndaj këtij shteti. Do të jetë e turpshme që PDSH-ja të marr pjesë aty”, tha Sela për Plusinfo.
Në pyetjen nëse beson se Menduh Thaçi bisedon për hyrje në qeveri ai tha:
“Besoj dhe mendoj se Menduh Thaçi është pjesë e qeverisë tashmë një kohë të gjatë, kështu që tash vetëm duhet legalizuar. Nëse më pyesni mua, ky nuk do të ishte një hap i mirë politik.
Sela është optimist në tentimet e tij për reforma në PDSH, tha se janë duke rrjedhur përgatitjet e kongresit i cili është caktuar për 21 mars dhe se ai e ka mbështetjen e 80 % të anëtarësisë.
Por, PDSH-ja e reformuar a do të ketë vend për Thaçin?
“Do të ketë vend për secilin, madje edhe për Menduh Thaçin. Ne po përgatisim ndryshime statusore dhe në kuadrin e atyre ndryshimeve, secili anëtar në PDSH do të mund të kandidohet për secilin funksion. Por, statuti i ri parasheh edhe përgjegjësinë si dhe mundësinë që me 50 % të nënshkrimeve të thirret kongresi i partisë”, tha Sela.















