Shtrenjtohen mallrat që paguhen me dollarë - tetova1.com

Shtrenjtohen mallrat që paguhen me dollarë


usdollars_
Kategoria: Ekonomi / TOP LAJM

Postuar më: Wed, Mar 18, 2015





Vlera e euros në raport me dollarin ka shënuar nivelin më të ulët në 12 vitet e fundit, ndërsa pritet që në të ardhmen madje të barazohet vlera me valutën amerikane. Për këtë kanë kontribuar edhe masat e Bankës Evropiane Qendrore, e cila me blerjen e letrave shtetërore me vlerë, tashmë ka filluar të stimulojë rritjen ekonomike brenda Eurozonës. Përderisa dollari amerikan ka vazhduar të fuqizohet, euro prej muajit maj të vitit të kaluar ka humbur një të tretën e vlerës së saj. Për rritjen e madhe të vlerës së dollarit karshi euros flasin edhe të dhënat e Bankës Popullore të Maqedonisë që tregojnë se, në muajin maj të vitit të kaluar, një dollar ka pasur vlerën prej 45 denarësh, ndërsa tani një dollar ka arritur në 58 denarë, duke iu afruar dukshëm vlerës prej 61 denarë të euros. Analistët financiar presin që së shpejti edhe të barazohet vlefta e euros dhe dollarit amerikan. Pasojat e forcimit të dollarit dhe dobësimit të euros në ekonominë e Maqedonisë mund të sjellin shtrenjtime të caktuara të prodhimeve që paguhen me dollarë nëse vazhdon rritja e mëtejshme e vlerës së valutës amerikane. Një pjesë e importuesve të prodhimeve që blihen me dollarë nga jashtë, në kushte anonimitetit thonë se nëse vazhdon forcimi i mëtejshëm i dollarit, mund të pritet shtrenjtim i caktuar i prodhimeve që gjatë importit - paguhen me dollarë. “Kjo paraqet një rritje të dollarit për më shumë se 20 për qind në raport me euron që do të thotë se, edhe prodhimet tona mund të shtrenjtohen për 20 për qind. Por, megjithatë biznesi akoma posedon mallra që i ka blerë me çmime të vjetra dhe bën kalkulime e tij lidhur me shtrenjtimin eventuale të të gjitha mallrave që blihen me dollarë, ku për shembull - nëse kemi blerë prodhime të caktuara me 10 dollarë, tani ata shiten me 12 euro. Pra, jemi në pritje të lëvizjeve të mëtutjeshme të kursit të dollarit në raport me euron dhe mund të presin - nëse vazhdon forcimi i dollarit në raport me euron, të kemi edhe shtrenjtime të caktuara të prodhimeve që blihen me dollarë në tregjet e jashtme”, thotë një nga afaristët që importon mallrat e tij me dollarë. Luhatja e kursit dollarë-euro do të ndikojë në mënyrë direkte dhe indirekte edhe në punën e kompanive eksportuese dhe importuese në Maqedoni. “Ndryshimi i kursit devizor të euros në raport me dollarin do të këtë pak ndikim në ekonominë vendore, pasi pjesa më e madhe e shkëmbimit tregtar të Maqedonisë zhvillohet me shtetet e Bashkimit Evropian që kanë si valutë euron. Në përgjithësi, kompanitë vendore eksportojnë në Evropë ku vlera e euros në Maqedoni është stabile, andaj këto kompani nuk ka rrezik që të humbin nga fitimi i tyre, ndërsa fitues do të jenë kompanitë që eksportojnë në SHBA ose shtetet e tjera ku përdoret dollari, për shkak të rritjes së vlerës së dollarit”, thotë profesori universitetar Sami Bislimi. Sipas tij, deri te dobësimi i valutës së euros erdhi për shkak të stimulimit të eksportit të vendeve evropiane në SHBA dhe shtetet tjera për shkak të humbjeve të shkaktuara si rrjedhojë e humbjeve të ekonomisë evropiane, që si pasojë kishte ndalesën e eksportit në Rusi, si partnerin kryesor tregtar të BE-së. Në ndërkohë, lidhjen e këmbimit tregtar të Maqedonisë kryesisht me valutën euro e tregojnë edhe të dhënat e Entit të Statistikës së Maqedonisë. Vitin e kaluar, pjesëmarrje më të madhe në eksportin e mallrave kanë pasur me 76.6 për qind vendet e BE-së dhe me 14 për qind vendet e Ballkanit Perëndimor, që kryesisht janë të lidhura me euron. Kjo do të thotë se, rreth 91 për qind e eksportit të Maqedonisë realizohet në shtetet ku dominon euroja. Në importin e mallrave, pjesëmarrjen më të madhe e gjithashtu e kanë me 63.5 për qind shtetet e BE-së dhe me 10 për qind ato të Ballkanit Perëndimor. Nga ana tjetër, eksporti i Maqedonisë në një pjesë të vogël është i lidhur me shtetet që përdorin dollarin. Sipas statistikës zyrtare, në 2014, në Maqedoni janë importuar mallra në vlerë prej 500 milionë dollarë nga shtetet e rajonit pacifiko-aziatik dhe 159 milionë dollarë prej shteteve të zonës së lirë së Amerikës Veriore, që paraqet rreth 9 për qind të importit të vlefshëm prej 7.2 miliardë. Megjithatë, afaristët thonë se ndryshimi i vlerës së dollarit dhe euros nuk pritet të ketë ndonjë ndikim të madh dhe të drejtpërdrejtë në ekonominë e Maqedonisë, pasi pjesa më e madhe e bashkëpunimit të biznesit është e lidhur me euron, që edhe më tej është stabile si valutë. “Kjo rënie e vlerës së euros mund të ketë ndikim indirekt në biznesin vendor. Nëse partnerët tanë evropian blejnë repromateriale nga Kina, tani ky harxhim do t’u rritet për së paku 20 për qind, andaj ato mund të bëjnë presion te ne që të ulin harxhimet e tjera, gjegjësisht të kërkojnë çmime më të ulëta prej nesh. Nëse ne në mënyrë direkte do të bëjmë import prej Kine të repromaterialeve, atëherë neve do të na rriten harxhimet, por gjatë eksportit të prodhimit të gatshëm, ne do të fitojmë më shumë denarë”, thotë Angel Dimitrov, kryetar i Organizatës së Punëdhënësve të Maqedonisë dhe pronar i kompanisë së prodhimit të tekstilit “Moda” nga Shën Nikolli. Nga këmbimoret thonë se rritja e vlerës së dollarit për qytetarët në vend nuk do të ketë ndikim më të madh, pasi në qarkullim shumë pak ka dollarë dhe më shumë përdoren euro dhe franga zvicerane. Maqedonia në 14 vitet e fundit ka një kurs fiks të denarit me euron, kështu që për qytetarët - këto lëvizje të dollarit në raport me euron kanë shumë pak rëndësi .Gjithsesi se për ata që kanë dollarë kjo rritje paraqet një rritje të vlerës së valutës amerikane, me të cilën mund të blejnë më shumë. Luhatja e valutave amerikane dhe evropiane pritet të ndikojë edhe te tregtarët, që të orientojnë blerjet dhe shitjet e tyre në tregjet më të favorshme të zonës euro apo zonës së dollarit. Gjatë viteve të fundit, si pasojë e një monedhe euro “të fortë” dhe një dollari relativisht më të “dobët”, vendet apo tregjet ku përdoret dollari si Kina, kanë qenë mjaft të preferuara për tregtarët dhe biznesin ballkanas. Ndryshe, sipas ekspertëve të financave, ky trend i forcimit të dollarit lidhet me efektet e forcimit të ekonomisë amerikane dhe ndryshimit të krahut të politikës monetare të Bankës Qendrore Amerikane, si edhe me kursin e ri të Bankës Qendrore Evropiane. Fortësia apo dobësimi i euros dhe dollarit varet nga lëvizjet pozitive apo negative në ekonominë amerikane dhe botërore.

Kursi i denarit mbron Maqedoninë
Kursi fiks i denarit në raport me euron i mbron qytetarët nga lëvizja e vlerës së valutës euro, pasi vlera e kursimeve dhe kredive në euro apo me klauzolë në euro mbetet e njëjtë dhe nuk varet nga raportet e euros me valutat e tjera. Ndryshe, ekspertët ndërkombëtar financiar presin që këtë vit të arrihet edhe barazimi i vleftës së valutës së dollarit dhe euros. “Mendoj se lëvizin drejt paritetit dhe kjo është përfundim logjik në lidhjen me fazën e ardhshme. Kam menduar se kjo do të ndodhë vitin e ardhshëm, por për shkak të kësaj tempo - duket se kjo do të ndodhë më herët”, thotë Dejvid Zan, ekspert nga kompania “Frenklin Templton”. Sipas tij, Banka Evropiane Qendrore nuk duhet të brengoset për shkak të tempos së dobësimit të euros, por duhet të brengoset nëse kjo tempo përshpejtohet. Majkl Hjuson, analist kryesor në kompaninë “CMC markets”, mendon se ka potencial që euro të dobësohet në mënyrë shtesë. “Pak njerëz kanë mundur të paramendojnë në muajin maj të vitit të kaluar kur për një euro fitohej 1.4 dollarë, se nëntë muaj më vonë - kjo valutë do të dobësohet për 35 për qind, ku ekziston potencial që kjo të shkojë edhe më poshtë. Hapi i ardhshëm është kursi prej 1.05 i euros në raport me dollarin dhe pas kësaj as pariteti nuk është larg”, thekson Hjuson. /KOHA/

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net