Sot do të ndodh eklipsi i Diellit
Sot paradite universi do të ofrojë një nga spektaklet e tij më të bukura, eklipsin diellor.
Errësira do të zbresë në Evropë teksa hëna do të lëvizë përgjatë gjithë sipërfaqes së Diellit, duke bllokuar dritën e tij për disa minuta. Fenomeni nis pas orës 9 të mëngjesit. Ai pritet të zgjasë deri në 2 orë. Më të privilegjuarit për të parë një shfaqje të tillë qiellore të plotë do të jenë islandezët dhe banorët e ishujve Faroe.
Atje parashikohet që Hëna në kalimin e saj mes Diellit dhe Tokës, do të mbulojë yllin më të madh të sistemit tonë diellor në masën 90 për qind. Dukuria do të zgjasë 2 minuta. Ndërsa në vendin tonë, ku për të premten është parashikuar një mot me diell, çka e bën më të dukshëm, eklipsi do të jetë i pjesshëm. Dielli do të mbulohet deri në masën 40 për qind. Ai do të nisë në orën 9:35, kulmi do të jetë në 10:42 për të përfunduar në 11:52.
Astrofizikantët ju kujtojnë të mos e shikoni me sy të lirë Diellin, pasi rrezikoni të dëmtoni retinën e syrit. Për ata që zotërojnë dylbi ose teleskop mund t’i shfrytezojnë për këtë fenomen qiellor.
Në mungesë të tyre, mund të shfrytëzoni objektivet e kamerave ose të aparateve celularë apo ta projektoni diku, gjithnjë duke mos e parë me sy të lirë. Nuk është rasti të përdorni syzet e diellit. Në histori eklipsi diellor i plotë më i gjatë është i Ekuatorit, në Gushtin e 2008, ku për 7 minuta Hëna gjunjëzoi shkëlqimin e Diellit.








