Panta Rei
Arben Taravari
Shoqëria njerëzore është gjithnjë në një proçes dinamik ndaj dhe partitë politike shtohen, vijnë në pushtet, ikin nga pushteti. Imagjinoni se ç’mund të ndodhi me individët?! A mundet që një individ të ketë gjithnjë të drejtë?!
Mirëpo në rastin e ish-PDSH-së, mendoj se është fenomen unik që partia nuk vinte në pushtet dhe hidhte fishekzjarrë për këtë punë! Orhan Ibrahimi na quajti Nomadë Politikë, është interesante që ky epitet vjen nga një mik i imi, nga një burrë i ndershëm, që si duket ende nuk e ka kuptuar që ne nuk ikim, nuk lëvizim! I dashur Orhan, nga ku po ikim?! Nga Menduh Thaçi?!
Po Menduhi nuk është kombi mor Orhan, apo feja që duhet ta ndjekim deri në vdekje! Pastaj politika është çështje e shumë njerëzve, dhe jo e një njeriu, ndryshe quhet Autoritarizëm! U detyruam të marrim në dorë frenat e partisë tonë sepse kuptuam që deri tash është luajtur me ne! Ne as nuk na interesojnë politikanët nëse këta qënkan ata burrat me kollare dhe xhaketë, që i sjell në pozitë bash ai varfanjaku te cepi i lagjes, dhe bash ai varfanjaku injorohet! Ne nuk duam të jemi ai lloj i politikanit që pi kafe me Zeusin dhe jeton në Olymp! Jo more jo, ne jemi njerëz, shqiptarë, të profesioneve të ndryshme, që na bashkoi dashuria për fëmijët tanë, për njeri tjetrin, dhe domosdoshmëria e një jete më të mirë! I dashur Orhan, Zoti është vetëm Një!
Askush tjetër nuk mund të jetë Ai!
Lirohuni nga kjo robëri fatkeqe si çdo robëri! Fëmijët tuaj dhe ju vleni më shumë se sa doktrinat e zgjatura në kohë! PDSH-ja duhet të jetë partia e njerëzve të ndershëm, e në qoftë se kusht për të qenë PDSH, është të flakësh ndershmërinë, atëherë as emrin nuk e duam.
Orhan kjo jona është partia e të mirëve ku edhe ti bën pjesë, eja aty ku të çon zemra, dhe mos rri aty ku të mban pengu i një beteje të humbur! Për të gjithë të tjerët që nuk iu pëlqen kjo Lëvizje, epo, kërkoni një popull tjetër, se kjo Lëvizje është populli! Ne kërkojmë që të funksionoj shoqëria e mundësive të barabarta! Dhe kjo fillon që nga momenti kur të gjithë kuptojnë se mund të jenë të zëvendësueshëm!





