Mediumet proqeveritare thonë se Zaev dhe “Besa” po përgatisin destabilizim
Media maqedonase të afërta me koalicionin VMRO-BDI, kanë plasuar akuzat e radhës ndaj kryetarit të LSDM-së opozitare, Zoran Zaev, por kësaj radhe në akuzat e tyre kanë involvuar edhe lëvizjen “Besa”, raporton “lajmpress.com”.
Duke u thirr në burime partiake, ato informojnë se gjoja Zaev po përgatit skenar për eskalim të gjendjes së sigurisë. Këto burime partiake kanë thënë se Zaev është duke realizuar kontakte intensive me lëvizjen “Besa”, me ndihmën e së cilës do të organizoheshin protesta të “elementeve radikale islame”, pas paraqitjes së “bombës” së LSDM-së lidhur me vrasjen e pesëfishtë te liqeni i Smilkovës dhe rastin “Monstra”.
Këto tekste i përngjajnë tentimit për mbrojtje të VMRO-së dhe BDI-së nga detaje kompromituese që mund të paraqiten në ndonjërën prej “bombave” të ardhshme të LSDM-së, lidhur me rastin “Monstra”.
Për dallim prej mediave të afërta me koalicionin VMRO-BDI, politikanë shqiptarë publikisht kanë shprehur dyshime se destabilizim i situatës për momentin i konvenon vetëm pushtetit. /lajm/






