Çka nëse plas lufta në Maqedoni? - tetova1.com

Çka nëse plas lufta në Maqedoni?


xhemalhmeti-tvklan
Kategoria: Opinione

Postuar më: Tue, Apr 21, 2015





Jon Leka

Sapo doli lajmi për aksionin e policisë maqedonase drejt Goshnicës së Likovës u shfaqën saora e së pari analistë vendorë që komentet duket t’i shkruajnë nëpër xhami: Diagnoza: Gruevski është përgjegjës për aksionin. Arsyetimi: që ta bartë vëmendjen nga bombat e Zaevit.

Pas tyre filluan muzikën komentuesit rrjeteve sociale: diagnoza përafërsisht e njëjtë «shqiptarët e gjorë sa lehtë bëhen budallenj e mish për topa». Ose si dukur kur doli UÇK Drenicës e më pas në Luginë: Shërbimet e huaja sekrete (serbo-maqedonase) duan t’i fusin shqiptarët e «pashkollë» të Maqedonisë në luftë?

Po pse shumica e opinioneve shkon në këtë drejtim e jo ta zëmë të arsyetohet me versionin që thotë se Shqiptarët e Maqedonisë janë lodhur nga vendnumërimi, nga skamja, nga diskriminimi në shkolla, punë, teatro, kinema, në infrastrukturë, në rrugë ku jo rrallë rrehen si jetimë dhe tashti kanë vendosur një strategji tjetër për të sensibilizuar shqiptarët dhe botën se në këtë situatë të mjerë nuk duan më të koekzistojnë? Pse? Parasëgjithash habit dukuria se sa shumë shpejtë u qendisën teoritë e shumta (shqiptare) rreth ndodhisë pa autorë të identifikuar.

Këtu edhe logjika shkelmon: Gruevski e dinë se me një konflikt të hapur e armatosur me shqiptarët nuk do ta ruajë republikën ashtu siç e ka, por minimum mund të federalizoj vendin në favor të etnisë së dytë. Mos e kanë paguar edhe këtë amerikanët si Millosheviqin të punojë për shqiptarët – siç thotë një rrëfim trivial e interesant?

Pra pse më shumë refuzohet shpërthimi i shqiptarëve në Maqedonisë se sa të përkrahet? Këtu identifikohen tri grupe opinionesh.

a) Fetarët që kanë frikë në mos agjenda kombëtare e shqiptarëve të atjeshëm i përmbys synimet e tyre dhe i vë në një provë ku ata nuk kanë potencial numerik as të marrin pjesë ngase nuk është kauzë e Allahut.

b) Partitë reagojnë kundër sepse humbin primatin e komandimit të situatës në vend sa i përket shqiptarëve dhe e dinë se pas një rikonfigurimi ato do të shkrihen sikur të mos ishin më ose me ndikim krejt të parëndësishëm.

c) Kosova ka frikë për pozitën e vetë në rajon e Shqipëria nuk trazohet fare dhe lejon më shumë vetëvendosje të njerëzve atje, pra as nuk ndikon kundër e as pro deri sa situatat të jenë konkrete.

d) Kategorinë e katërt e përbëjnë habituesët që janë parimisht kundër çdo lufte, por ata as që u shfaqen për këtë kohë të shkurtër.

Nuk ekziston asnjë indikacion që Qeveria Gruevski të ketë interesin më të vogël për një luftë. Përndryshe do t’i kishte kapur sulmuesit e stacionit ashtu siç dikur na servojë kufomat e ish ushtarëve të UÇK-së në një kombi dhe në një vend ku nuk ishte kryer krimi por 12 orë më herët stacioneve të policisë. Kjo nuk është taktika e shërbimeve maqedonase siç e njohin ekspertët. Dhe është kundër-produktive për të.

Po kush ishin sulmuesit atëherë?

Nuk ka edhe ndonjë rëndësi se kush ishin sulmuesit. Evidente është se ciladoqoftë anë nuk ka interes për një Maqedonis siç është kjo. Ka plotë informata e kërcënime publike, pra është sekret publik se grupe të ndryshme shqiptarësh kanë bërë parapërgatitjet logjistike dhe rigrupimet për një konflikt eventual. Rrëfimi është i vjetër më shumë se një vit. Këtë e dinë shteti dhe partitë shqiptare. Gjithë e dinë se tashmë ekzistojnë strukturat që në adresa të duhura kanë dërguar ultimatumet e nevojshme – o të ndryshohet gjendja e statusi i shqiptarëve atje o do të ketë probleme? Dhe atë shumë shpejtë!

Çka pra nëse plas sërish lufta në Maqedoni? Nuk duhet të ketë luftë në Maqedoni. Askush nuk donë luftë. Por as shqiptarët e Maqedonisë si duket nuk lejojnë të bashkëjetojnë më një robëri kaq perfide dhe të sëmurë e cila as i lëshon as i mban, i diskriminon gjithandej, tallet me ta. Nuk kanë se si durojnë njerëzit atje partitë-klube interesash që kur sa janë nuk qenë në gjendje ta detyrojnë shtetin që së paku ta realizonte marrëveshjen e Ohrit. «Shqiptarët këtu janë lodhur se janë bërë lypës agjencish të huaja që na detyrojnë madje edhe frizurën, ruajtjen, gjatësinë e pantallonave sipas kushteve të tyre», na thotë një mik yni nga Kërçova.

Shqiptarët jashtë e kanë një borxh moral ndaj atyre të Maqedonisë: që para se të dëgjojnë, hulumtojnë mirë se cilët janë hallet e tyre, për çka kanë nevojë dhe se çka kanë vendos mos i gjykojnë dhe akuzojnë me lloj lloj epitetesh që u kthehen si medaljone prapë!

Është mirë që të bëhet çmos që mos shpërthejë lufta atje, por jo me akuza, por me ndihmë dhe presion ndaj Maqedonisë dhe Ndërkombëtarëve që edhe shqiptarët e atjeshëm ta gëzojnë lirinë si duhet! Me dinjitet! Përndryshe nëse jo sot nesër s’ka pse mos të shpërthejë.

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net