Kishë në një lagje shqiptarësh në Ohër! - tetova1.com

Kishë në një lagje shqiptarësh në Ohër!


Kategoria: Lajme / TOP LAJM

Postuar më: Tue, Apr 21, 2015





Deri te gazeta KOHA një grup qytetarësh të Ohrit kanë përcjellë shqetësimin se në një lagje të këtij qyteti e banuar në pjesën dërmuese me shqiptarë, është planifikuar të ndërtohet një objekt fetar i fesë ortodokse në vendin e quajtur “Tumba” te rruga “Zhelezniçka”. Banorët e kësaj pjese të Ohrit theksojnë se ndërtimi i këtij objekti në një lagje ku besimtarët e kësaj feje mungojnë, bie në kundërshtim me tolerancën fetare dhe mund të konsiderohet si një provokim i radhës që i bëhet pakicës shqiptare dhe myslimane të këtij qyteti. Këshilltari i vetëm shqiptar në Këshillin Komunal të Ohrit, Kujtim Useini, konfirmon se në propozim ndryshimin e ri të planit gjeneral urbanistik për këtë lagje në vendin e quajtur, “Tumba”, është parashikuar të ndërtohet një kishë. Useini, informon se për këtë çështje është në kontakte të vazhdueshme me drejtuesit e Komunës së Ohrit, që ky plan të mos miratohet, sepse do të hasë në kundërshtimin e hapur të banorëve të kësaj pjese të Strugës. Për Useinin edhe ky hap, në rast se do të miratohet, mund të konsiderohet si vazhdimësi e politikave asimiluese të cilat qëllimin final e kanë shpërnguljen, edhe të atyre pak shqiptarëve nga Ohri. “Kjo lagje në Ohër ka qenë dhe është e banuar në masën 90 për qind me banorë shqiptarë. Para disa viteve në këtë pjesë të qytetit, banorët arritën të blejnë një pjesë të kësaj parcele, por nuk vonoi dhe kjo shitje u anulua, siç duket me qëllimin e vetëm që aty të ndërtohet një kishë. Në Ohër shqiptarët dhe myslimanët nuk llogariten fare dhe bëhet çmos që ata të asimilohemi dhe të shpërngulim dhe në rast se realizohet edhe ky projekt, atëherë nuk ka mbetur tjetër gjë për t’u bërë dhe me këtë i vihet kapaku”, thekson ai.
Gjithashtu këshilltari Useini informon se për këtë problematikë, bashkë me një grup qytetarësh do të realizojë gjatë ditës së hënë takim me kompetentët në Komunën e Ohrit që të mos vijë deri te jetësimi i këtij plani urbanistik. Dikur Ohri ishte qytet i rëndësishëm për shqiptarët, si për nga prezenca ashtu edhe për ndikimin e madh të banorëve të tij për kauzën shqiptare. Madje, në momente të caktuara të Rilindjes Kombëtare në shekullin XIX, Ohri nga patriotët shqiptarë propagandohej edhe si kryeqytet i Shqipërisë së pavarur nga Perandoria osmane. Por, sot pas njëqind vitesh gjërat kanë ndryshuar shumë. Tashmë edhe prezenca shqiptare këtu është simbolike dhe e papërfillshme dhe padyshim shpërnguljet në drejtim të Turqisë dhe migrimet më të vonshme drejt Evropës dhe Amerikës, kanë bërë të vetën në boshatisjen e këtij qyteti. Qyteti i cili në mesjetë qeverisej nga familja fisnike shqiptare Gropa, qyteti nga ku kanë dalë luftëtarët e mëdhenj të pavarësisë shqiptare si Dervish Hima, Hamdi bej Ohri dhe figura të tjera, sipas regjistrimit të fundit të vitit 2002 numëron rreth 3600 banorë shqiptarë ose rreth 6% të numrit të përgjithshëm të banorëve të Komunës së Ohrit.

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net