Alsat-M: BDI manipulion publikun me hetimin e PSP-së (VIDEO)

Komuna e Çairit konfirmon inspektimet e Prokurorisë Speciale Publike. Përmes një kumtese nga kjo komunë konfirmojnë se Specialja ka kërkuar detaje në lidhje me objektin i cili dyshohet të jetë ndërtuar pa leje përballë ambasadës amerikane në Shkup. Objekti dyshohet të jetë në pronësi të një zyrtari të BDI-së.

Lidhur me objektin që ndodhet përballë Ambasadës Amerikane në Shkup, lëndë konkrete për të cilën Prokuroria Speciale ka shprehur interesim, kemi njoftuar përfaqësuesin e deleguar nga ana e saj, i cili është pritur dhe është informuar detajisht për procedurën, se objekti në fjalë nuk është në kompetenca të Komunës pasi që i njëjti është në procedurë gjyqësore– njoftojnë nga Komuna e Çairit.

Objekti që është lëndë interesimi për specialen ishte pjesë e “bombave” mes kreut të BDI-së dhe të VMRO-DPMNE-së. Gruevski kërkon nga Ahmeti që bashkë-partiakët e tij të mos bëjnë probleme gjatë rrëzimit të objektit. Ahmeti nga ana e kundërt thotë se objektet pa leje duhet rrënuar. Prokuroria Speciale ditë më parë inspektoi hapësirat e Komunës së Çairit. Jo zyrtarisht bëhet fjalë për procedurë para hetimore nga e cila nuk dihet se kush mund të jetë i dyshuar dhe i ndjekur. Lënda në procedim e sipër është hetimi i parë i ekipit të Katica Janevas mbi ndërtimet pa leje dha kaosin urbanistik në Komunën e Çairit.

Reagimi i Alsat – M, ndaj BDI-së

BDI-ja nëpërmjet një reagimi trillues tentoi të hidhte hije dyshimi mbi lajmin e ALSAT-it duke theksuar se prona që përmendet në këtë kronikë, është e blerë nga vetë pronari i ALSAT M. Madje, theksohet se kjo pronë nuk ka lidhje me ndërtim pa leje. Kjo është e vërtetë, prona nuk është ndërtim pa leje, dhe shit-blerja e saj është konform të gjitha procedurave, por në lajmin tonë, sipas burimeve, bëhet fjalë për një tjetër ndërtim për të cilin kërkon fakte Prokuroria Speciale – ndërtimin para ambasadës amerikane. Ndërkohë lajmi ilustron se si vetë drejtues të lartë të BDI-së dhe Çairit, caktojnë edhe pazaret për shitje objektesh. Ndërsa, objekti që ALSAT ka blerë, ka qenë në ndërtesën Mavrovka, i ndërtuar shumë kohë para se edhe BDI-ja të krijohej si subjekt. Trillimi i BDI-së ka për qëllim të amnistojë atë çfarë flitet në bombat e opozitës, e që sot, janë nën hetim nga Prokuroria Speciale./ALSAT-M