Spasovski shkarkon dy shefa policie dhe suspendon shumë policë

Ministri Brendshëm Oliver Spasovski ka suspenduar Kryeshefin e Shërbimeve Qendrore policore, Goran Georgievski si dhe krye-shefin e njësiteve speciale, Mitko Peshov. Alsat mëson se në mesin e të suspenduarve gjenden edhe 30 përfaqësues të tjerë të policisë.

“Në bazë të analizave të gjendjes faktike është konstatuar se gjatë marrjes së masave konkrete dhe aktiviteteve të përfaqësuesve të MPB-së, në sigurimin e Kuvendit janë bërë lëshime dhe atë: në procesin e grumbullimit të informatave, mungesa e analizave adekuate, planifikimi i resurseve, vlerësimi i rreziqeve, zbatimi i kompetencave policore si dhe pjesa e zbatimit të ingerencave policore. Gjithashtu lëshime janë konstatuar edhe në pjesën e sjelljes etike dhe profesionale të nëpunësve policorë të cilët kanë kryer detyrën e tyre para dhe pas ngjarjes”, thuhet në raportin e përgatitur për konstatimin e gjendjes faktike të ngjarjeve të 27 prillit.

Në raport gjithashtu theksohet se hyrja e dhunshme e qytetarëve në Kuvend vjen si rezultat i hapjes së portës kryesore nga pjesë e brendshme, që ka sjellë deri tek cenimi i sigurisë në Kuvend.

Nëpunësit policorë nga sigurimi i brendshëm në tentim për të siguruar portat kanë qenë të penguar nga ana e deputetëve.

Një pjesë e nëpunësve policorë nga Sektori për mbrojtjen e personave të caktuar dhe objekteve të cilët kanë qenë prezent në Kuvend gjatë hapjes së portës kryesore nuk kanë ndërmarrë asnjë hap për ta penguar atë.

Anëtarët e Shtabit operativ dhe Ekipi operativ nga Njësiti për operacione speciale policore, nuk kanë qenë prezent në shtab, ndërkohë që me kohë kanë qenë të informuar për rrjedhën e zhvillimeve dhe gjendjen e plotë në Kuvendin e Republikë së Maqedonisë.

Shtabi operativ dhe Ministria për punë të brendshme me kohë kanë qenë të informuara se në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, deputetët e shumicës do t’i qasen zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit.