Athina ia përsërit Shkupit: Së pari zgjidhje për emrin, pastaj në NATO dhe BE

18

Qeveria greke nuk do të tërhiqet nga qëndrimet e veta dhe Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë do të bëhet pjesë e NATO-s vetëm pasi që ta zgjidhë kontestin për emrin, deklaroi shefi i diplomacisë greke Nikos Kotsias në një tubim në qytetin Kozhani në pjesën perëndimore të Maqedonisë greke.

Kotsias ka theksuar se qeveria greke nuk do të gjunjëzohet para presioneve për pranim të Maqedonisë në NATO me referencën e përkohshme, siç po flitet me të madhe nga burime të ndryshme politike dhe mediale në të dy shtetet.

“Tani kur punët u stabilizuan sërish do të vijnë disa (politikanë evropianë) dhe do të thonë: ‘Për ta stabilizuar mirë shtetin duhet ta inkuadrojmë në NATO dhe BE! Ne s’kemi asgjë kundër, por ata duhet t’i përmbushin obligimet e tyre, që do të thotë të heqin dorë nga irredentizmi dhe të bëjnë kompromis për emrin”, deklaroi Kotsias.

Sipas tij, është herët të flitet nëse dy shtetet janë më afër zgjidhjes për emrin me qeverinë e re të Shkupit.

Për takimin të mërkurën që vjen në Athinë me shefin e ri të diplomacisë maqedonase Nikolla Dimitrov, tha se në të nuk do të bëhet fjalë për kontestin për emrin, porse për metodën se si do të vazhdojnë bisedimet rreth zgjidhjes së kontestit.