Qeveria sot e shkarkon Çavkovin

Qeveria e re sot duhet të mbajë seancë, ku sipas paralajmërimeve të tyre, në rend dite do të jetë shkarkimi i drejtorëve aktual të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK) dhe të Byrosë për Siguri Publike (BSP), Vlladimir Atanasovski dhe Mitko Çavkov, transmeton Gazeta Express.

Pas shkarkimit të tyre, pritet që Qeveria e re të emërojë drejtorë të rinj në dy institucionet më të rëndësishme në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Në opinion deri më tani janë paraqitur mjaft spekulime në lidhje me atë se kush do t’i marrë këto pozita, por as kryeministri, Zoran Zaev, as ministri i MPB-së, Oliver Spasovski, ose ndonjë funksionarë qeveritar, nuk do t’i komentojë spekulimet.

Përndryshe. Drejtorët e deritanishëm të DSK-së dhe BSP-së, janë vendosur nga Qeveria teknike që i ka zbatuar zgjedhjet e 11 dhjetorit të vitit 2016, si kuadrat ë VMRO-DPMNE-së.

Edhe Çavkov edhe Atanasovski janë të përmendur në raportin e grupit punues të MPB-së si persona përgjegjës për mosveprimin profesional për gjatë kohës së dhunës në Kuvendin e Maqedonisë më 27 prill, në të cilën u rrahët deputetë, gazetarë dhe qytetarë, por edhe u demolua godina e Kuvendit.

Çavkov ka qenë njeri i besueshëm i pushtetit të kaluar dhe VMRO-DPMNE-së, dhe person nëpërmjet të cilit partia e ka kontrolluar MPB-në, pas dorëheqjes së, Gordana Jankulloskës dhe Sasho Mijallkovit.

Atanasovski disa herë u kritikua për shkak të obstruksioneve ndaj punës së Prokurorisë Speciale Publike (PSP), i cili nuk u ka lejuar prokurorëve që të bëjnë kontroll në sistemet për përgjim he në dokumentet lidhur me ndjekjen e komunikimeve. Për të njëjtën Atanasovski, u dënua me 2500 euro.