Ahmeti: Anëtarësimi në NATO, më se i nevojshëm

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, sot në Ambasadën e SHBA-ve në Shkup është takuar me Drejtorin e zyrës për çështje të Evropës Jugore dhe Qendrore në Departmentin e Shtetit Amerikan, Metju Palmer, si dhe ambasadorin amerikan në Maqedoni, Jess Bayli.

Siç njoftojnë nga BDI, në takim është diskutuar për situatën aktuale në vend dhe rajon, sfidat e Qeverisë së re reformuese si dhe për prospektet integruese te vendit në NATO dhe BE.

“Ahmeti njoftoi Palmer për prioritetet e BDI-së në Qeverinë e re e që përfshijnë zbatim të reformave në sundimin e së drejtës, zbatimin e përpiktë të Marrëveshjes së Ohrit, integrimin e menjëhershëm në NATO dhe hapjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian bashkë me zhvillimin ekonomik, rritjen e standardit jetësor dhe hapjen e vendeve të reja të punës”, thuhet në kumtesën e BDI-së.

“Anëtarësimi i menjëhershëm i Maqedonisë në NATO është më se i nevojshëm dhe BDI do të bën çmos që të arrihet ky synim i joni. Çdo vonesë në këtë rrugëtim mundëson hapësirë për shtrirje të ideologjive të huaja, përplasje gjeopolitike dhe gjeostrategjike”, ka theksuar Ahmeti në takim.